Veliaj kujtohet për arnime rrugësh, 801 mijë € për asfalt elektoral, skualifikon kompaninë pa vinç

Zgjedhjet vendore duhet të bëhen çdo vit që rrugët e kryeqytetit të shtrohen me asfalt.

Ky është konkluzioni që të jep kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, që pas 8 viteve po shpall tendera miliona lekëshe për arnime rrugësh në prag të votimeve.

Për kontratën e lidhur ditën e martë, për  rikonstruksionin e rrugës “At Steth Melani” do të shpenzohen 801 mijë euro.

Projekti parashikon ndërhyrje në rrjetin rrugor, kanalizime të ujërave të shiut dhe ujërave të zeza, ndriçim rrugor dhe sinjalistika.

Për ta realizuar kanë shfaqur interes 14 kompani ku 7 prej tyre janë skualifikuar nga gara dhe fituese është shpallur bashkimi i operatorëve “RSM COMPANY” dhe “DESARET COMPANY”.

Nga të skualifikuarit janë edhe bashkimi i operatorëve “LIS KONSTRUKSION” dhe “VIANTE KONSTRUKSION” të cilat kishin ofertën më të arsyeshme me 85 mijë euro më pak se fituesi.

Nga arsyet që ka renduar Bashkia e Tiranës për skualifikimin e subjektin në fjalë, është se njëri prej operatorëve nuk disponon vinç kulle, që përdoret zakonisht në ndërtimin e kullave të larta.

Lind pyetja, për çfarë duhet një mjet i tillë të vendoset si kriter në tender, në një projekt që synon shtrim rruge?