Vritet mbështetësi i Putinit, hetuesit: Vrasje në Shën Petersburg, krim i profilit të lartë

Një shpërthim në një kafene në Shën Petersburg ka vrarë një bloger të njohur si mbështetës i presidentit rus Putin, si dhe ka plagosur mbi 25 të tjerë.

Vrasja po hetohet si një "krim i profilit të lartë", ndërkohë që shpërthimi është aktivizuar nga bomba e fshehur në një statujë që një grua i dhuroi viktimës pak minuta para ngjarjes.

Blogeri i njohur rus Vladlen Tatarsky që përkrahte luftën e Rusisë në Ukrainë është vrarë nga një shpërthim i fuqishëm bombe në një lokal në Shën Petersburg.

Ngjarja shkaktoi edhe 25 të plagosur, mes të cilëve një vajzë 14-vjeçare. Autoritetet ruse kanë nisur hetimet sipas të cilave, viktima u vra nga shpërthimi i një pakoje në të cilën ishte fshehur edhe mjeti shpërthyes.

Autoritetet kanë thënë se atentati po hetohet si një "vrasje e profilit të lartë". Videot e postuara në rrjetet sociale treguan një shpërthim dhe njerëz të plagosur në rrugë.

Këshilltari presidencial ukrainas Mykhail Podolyak në një postim në rrjetet sociale, fajësoi për shpërthimin një "luftë të brendshme politike" ruse: "Merimangat po hanë njëra-tjetrën në një kavanoz". Zyrtarët e ministrisë së brendshme thanë se policia u thirr në Street Food Bar pranë lumit Neva.

Tatarsky ishte një folës i ftuar në një ngjarje të organizuar nga lokali ku shpërtheu bomba. Në mediat ruse ka raportime kontradiktore për mjetin shpërthyes.

Sipas burimeve zyrtare të cituara nga media shtetërore, Tatarskit iu dha një statujë në një kuti si dhuratë, e cila kishte një bombë të fshehur brenda.

Videoja që qarkulloi në Telegram pas shpërthimit tregoi se atij i jepej një statujë dhe bënte shaka me të. BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë nëse ishte eksplozivi apo jo.

Ndërkohë të tjera pamjet tregojnë momentin kur një grua me një kuti të madhe i ka dhënë një dhuratë mbështetësit të Putinit, e që rezultoi se ishte fatale për blogerin rus Vladlen Tatarsky.