Reformat në ekonomi thelbësore, Sejko në LSE: Ekonomia e Shqipërisë u përball me goditje të importuara nga BE-ja

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mbajti këtë javë një leksion publik të organizuar nga Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike të Londrës. Sejko diskutoi mbi sfidat ekonomike dhe financiare me të cilat përballen ekonomitë e vogla të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti Shqipëria.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mbajti këtë javë një leksion publik të organizuar nga Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike të Londrës, me temë “Përballja me goditjet në portat e BE-së: instrumentet e reja poltike dhe roli i bankave qendrore”.

Gjatë leksionit, Guvernatori diskutoi mbi sfidat ekonomike dhe financiare me të cilat përballen ekonomitë e vogla të hapura të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti Shqipëria.

Sejko: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë me BE-në në aspektin kulturor, ekonomik, financiar e politik, dhe anëtarësimi në të mbetet një nga aspiratat e mëdha për vendet e këtij rajoni. Prej më shumë se dy dekadash, rajoni ynë punon për një konvergjencë të qëndrueshme me standardet e jetesës së BE-së, por ritmi i kësaj konvergjence është ngadalësuar në dekadën e fundit, nisur nga krizat me të cilat është përballur BE-ja dhe që janë importuar edhe nga vendet e këtij rajoni.

Sa i përket Shqipërisë, Sejko tha se jemi përballur me goditje të importuara nga BE-ja dhe si një përgjigje kemi kombinuar instrumentet e politikës monetare dhe reformat e sektorit financiar.

Ai gjithashtu u shpreh se axhenda e politikave strukturore është thelbësore për përmirësimin e ekonomive të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për t’i afruar ato me shtetet anëtare të BE-së.