Provokon Netanyahu, kryeministri izraelit nis anti-mitingjet ndaj kundërshtarëve të reformës në drejtësi

Mijëra mbështetës të reformës së diskutueshme gjyqësore të qeverisë izraelite dolën në rrugë pas thirrjeve për të sulmuar gazetarët dhe aktivistët e palës kundërshtare, njoftoi media izraelite.

“Rreth 30 000 demonstrues marshuan në qendër të Tel Avivit dje në mbrëmje, duke bllokuar autostradën në të dy drejtimet”, raportoi Channel 12.

“Disa prej tyre thyen barrierat e policisë dhe u përleshën me forcat e sigurisë", raportoi gazeta “Haaretz”.

Mbështetësit e kryeministrit dhe kryetarit të “Likud”, Benjamin Netanyahu valëvitën flamujt e partisë në rrugë, duke brohoritur slogane të tilla si “Populli kërkon reformë gjyqësore”, ndërsa disa të tjerë i referoheshin Netanyahut si “Mbreti i Izraelit”.

Disa organizata të krahut të djathtë kanë bërë thirrje për protestë.

Sipas raportimeve të medias, paraprakisht kanë qarkulluar edhe thirrje për dhunë ndaj gazetarëve.

Në mbrëmje, gazetarët në terren u penguan pjesërisht të jepnin raportet e tyre në kamera për shkak të thirrjeve të forta, duartrokitjeve dhe borive.

Koalicioni i Netanyahut dëshiron të përdorë reformën gjyqësore për të ulur ndikimin e Gjykatës së Lartë dhe për të zgjeruar pozitën e pushtetit të qeverisë.

Ajo akuzon Gjykatën e Lartë për ndërhyrje të tepruar në vendimet politike.

Nëse reforma miratohet, parlamenti do të ketë mundësi të rrëzojë vendimet e Gjykatës së Lartë me një shumicë të thjeshtë.

Kritikët e shohin ndarjen e pushteteve në rrezik duke paralajmëruar për rrezikun e një krize shtetërore nëse reforma zbatohet.

Mbështetësit e reformës duan gjithashtu të kundërshtojnë protestat masive të javëve të fundit kundër planeve të qeverisë së Netanyahut.