Ska aleancë ushtarake: Kina dhe Rusia zotohen për lidhje të ngushta

Presidenti Vladimir Putin ka mohuar zërat se mes Kinës dhe Rusisë po krijohet një aleancë ushtarake. Ai ka pranuar bashkëpunim sa i përket ndërveprimit ushtarako-teknik. Ndërkohë dy liderët e vendeve kanë shprehur miqësi dhe janë zotuar për lidhje më të ngushta.

Rusia dhe Kina nuk po krijojnë një aleancë ushtarake dhe nuk po fshehin asgjë. Kështu ka deklaruar Presidenti rus Vladimir Putin.

Në fillim të kësaj jave, dy liderët zhvilluan një takim në Moskë nga ku u shprehën se shtetet e tyre kanë miqësi dhe u zotuan për lidhje më të ngushta.

Në kohën kur Rusia po përpiqet të shënojë fitore në atë që e quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë, vjen edhe deklarata e mos krijimit të aleancës ushtarake me Kinën por nga Putin u pranua bashkëpunimi sa I përket ndërveprimit ushtarako-teknik.

Putin po ashtu tha se fuqitë perëndimore po tentojnë të krijojnë më shumë aleanca globale, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n se kanë nisur të ndërtojnë një “bosht” të ri, që sipas tij, ka disa ngjashmëri me aleancën e Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.

Me urdhër të Putinit, forcat ruse nisën pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022. SHBA-ja së fundmi ka paralajmëruar se Kina mund t’i ofrojë armë Rusisë, gjë që është mohuar nga Pekini.

Kina nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por së fundmi ka nxjerr një plan me 12 pika për luftën në Ukrainë, duke argumentuar se dëshiron që konflikti të zgjidhet përmes dialogut.