12 orë mes Kurtit e Vuçiç, Lajçak rrëfen negociatat e Ohrit dhe arritjen e paktit pa firmë
Mirosllav Lajçak ka rrëfyer për herë të parë 12 orët e negociatave me Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç në Ohër që prodhuan një marrëveshje pa firmë, por të detyrueshme për Kosovën e Serbinë. Përfaqësuesi i BE për dialogun, thotë se ishte Vuçiç ai që refuzoi të vendoste emrin në pakt.
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndron mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç në përpjekjen për normalizimin e marrëdhënieve. Takimin në Ohër e cilëson pikë kthese.
"E ngre dialogun në një nivel më të lartë dhe do t’i hapë rrugë normalizimit, ashtu si edhe përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në BE, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën".
Për të parën herë tregoi tregoi për Radion Europa e Lirë se kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb kishin në tryezë një plan të detajuar për zbatimin e anekseve, por disa ndasi nuk u kapërcyen.
Prandaj, propozimi ka ndryshuar.
"Nuk është sekret që ne, si lehtësues të dialogut, kemi përgatitur fillimisht një aneks më të detajuar të zbatimit. Megjithatë, pas disa orësh negociata, palët kanë arritur të bien dakord për 12 nga 18 pikat. Ka qenë e pamundur të tejkalohen dallimet për gjashtë pikat e mbetura".
Thotë se ishte Vuçiç ai që e la planin pa firmë, por megjithatë thekson se marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme për Kosovën e Serbinë.
"Ai ka përmendur kufizimet kushtetuese. Ne kemi bërë përsëri disa propozime se si të trajtohet çështja, por ato janë refuzuar.Çdo spekulim se është apo jo i vlefshëm dhe i detyrueshëm, është i pakuptimtë".
Lajçak thekson se Kosova e ka detyrim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
"Deklarata që lidhet me Nenin 7 të Marrëveshjes, i referohet, thjesht, përkushtimit tonë afatgjatë për Kosovën, që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013 dhe 2015".
