Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, Apeli mbyll në burg përjetë kopshtarin Festim Bixhili
Burgim të përjetshëm vendosi Gjykata e Apelit të Posaçëm për Festim Bixhilin, kopshtarin e kompleksit ku u dërgua Jan Prenga pas rrëmbimit në Kamzë në janar të vitit 2020. Sipas SPAK, i pandehuri dyshohet se ka marrë pjesë në keqtrajtimin e viktimës, trupi i të cilit është zhdukur pa gjurmë tre vjet më parë.
Gjykata e Apelit të Posaçëm dënoi me burgim të përjetshëm Festim Bixhilin, cili akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Pregës më 17 janar të vitit 2020.
I pandehuri ishte kopshtar i resortit "Golden" në Shijak, aty ku SPAK ka dyshime se u dërgua Jan Prenga dhe më pas u vra.
Gjykata e Shkallës së Parë, e cila e dënoi të pandehurin me burgim të përjetshëm, vendosi që dënimin ai ta kryejë në një burg të sigurisë së lartë.
Tashmë ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.
Për të pandehurin tjetër Olsi Turja, i akuzuar për pengim të zbulimit të të vërtetës, gjykata vendosi 3 vite burg.
Sipas SPAK, rrëmbimi i Prengës ndodhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokaine të mbërritur nga Ekuadori, në portin britanik Portsmouth, nga vëllai i viktimës.
Në formë hakmarrje ndaj këtij veprimi prokuroria thotë se me urdhër të shtetasit Dritan Rexhepi, i cili ndodhet i arrestuar në Ekuador, është marrë peng edhe 52-vjeçari i cili më pas ka ndërruar jetë si pasojë e rrahjes dhe keqtrajtimeve.
Referuar pretencës së SPAK të dhënë një vit më parë, ndonëse nuk është gjetur trupi i të rrëmbyerit, nga analiza e fakteve dhe provave rezulton se ai ka vdekur.
Sipas prokurorisë nga pamjet filmike në garazhin e kompleksit “Golden” në Shijak, duket viktima që nuk jep asnjë shenje jete për disa orë me radhë, ndërsa shenjat e gjakut te gjetura në vendngjarje të krahasuara me ADN e nënës së viktimës rezultojnë se i përkasin te njëjtit profil gjenetik.
