Pheniani simulon sulm bërthamor/ Kim Jong: Jemi në gatishmëri përballë agresionit nga armiqtë

Koreja e Veriut vijoi testimet bërthamore paralelisht me stërvitjen ushtarake të SHBA-së me Korenë e Jugut. Lideri komunist Kim Jong Un e konsideron si kërcënim dhe plan për pushtim aktivitetin e përbashkët ushtarak të SHBA me Korenë e Jugut.

Koreja e Veriut njoftoi të hënën se ka simuluar një sulm bërthamor në Korenë e Jugut, duke testuar raketa balistike gjatë fundjavës.

Lëshimi i raketave ishte demonstrimi i pestë që Koreja e Veriut ka kryer gjatë këtij muaji në shenjë proteste ndaj stërvitjeve më të mëdha të përbashkëta ushtarake ndër vite që kanë kryer Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.

Lëshimi i kësaj rakete besohet se ndodhi një orë para se bombarduesit amerikan B-1B të fluturonte në zonë për trajnime me avionët luftarakë të Koresë së Jugut. Koreja e Veriut i ka cilësuar stërvitjet SHBA-Kore e Jugut si përgatitje për pushtim, edhe pse aleatët insistojnë se stërvitjet janë të natyrës së mbrojtjes.

Disa ekspertë kanë argumentuar se Pheniani i përdor këto stërvitje si pretekst për të avancuar programet e armatimit.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, udhëzoi ushtrinë që të kryejë më shumë stërvitje për të rritur gatishmërinë e luftës të forcave të tij bërthamore përballë “agresionit” nga armiqtë e tij, raportoi media shtetërore.

Agjencia shtetërore e lajmeve verikoreane, KCNA, tha se raketa, që fluturoi rreth 800 kilometra, ishte e pajisur me një kokë bërthamore të rreme dhe testimi i saj ishte i suksesshëm, duke shtuar se këto stërvitje janë po ashtu “paralajmërim i fuqishëm” për SHBA-në dhe Korenë e Jugut “të cilat nuk po fshehin përpjekjet e tyre për të nisur një luftë” kundër Koresë së Veriut, tha KCNA.