Hodhi qenin nga kati i gjashtë, policia referon rastin në prokurori, animalistët njoftojnë protestë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e "Freskut" Tiranë, ku një grua ka hedhur qenin e saj nga kati i 6-të i pallatit.

Video është shpërndarë në rrjetet sociale. Pas publikimit të pamjeve u vu në lëvizje dhe policia.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas publikimit të pamjeve filmike, menjëherë kanë filluar hetimet për rastin në fjalë, sipas të gjitha dispozitave të parashikuara në Kodin Penal, dhe në përfundim të veprimeve kanë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale "Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit".

Animalistët kanë njoftuar mbajtjen e një proteste homazh nesër në orën 17:00.

"Nesër në orën 17:00 animalistët do të organizojnë një Protestë simbolike në formë homazhi, pranë pallatit ku një grua keqtrajtoi dhe hodhi nga kati i gjashtë një qen, i cili u dërgua në Veterineri, por ngordhi pasi kishte marrë shumë dëmtime, plagë dhe kocka të thyera" thuhet në njoftim.