Vidhnin në Tiranë, vihet në pranga 33-vjeçari, procedohet i mituri bashkëpunëtor i tij

Finalizohet operacioni policor i koduar "Influence", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Zbardhen 3 raste të vjedhjes, të kryera në Tiranë, gjatë muajit mars dhe vihet në pranga autori i dyshuar, i cili kishte shtytur një shtetas të mitur (15 vjeç), për të vjedhur me të.

Procedohet në gjendje të lirë 15-vjeçari, bashkëpunëtor në vjedhje.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 13 mars 2023, kanë tentuar të vjedhin në një farmaci, ndërsa më datë 15 mars 2023, kanë vjedhur shuma parash, në 2 subjekte të ndryshme.   

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Influence".

Si rezultat i këtij operacioni: u vu në pranga shtetasi R. Ll., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe “Shtytja e të miturve në kërkim”;  nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një shtetas të mitur 15 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë”. - njofton policia. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.