Organizata Botërore e Shëndetësisë: Covid-19 do marrë karakteristikat e gripit sezonal

Covid-19 së shpejti do të jetë i krahasueshëm me kërcënimin e gripit sezonal, tha sot Organizata Botërore e Shëndetësisë, pasi shpreson të ulë nivelin maksimal të alarmit këtë vit.

“Mendoj se po arrijmë në pikën ku mund ta shikojmë Covid-19 në të njëjtën mënyrë si e shohim gripin sezonal, i cili është një kërcënim për shëndetin, një virus që do të vazhdojë të vrasë, por është një virus që nuk po prish shoqërinë tonë apo sistemet tona shëndetësore”, tha në një konferencë shtypi shefi i programit të urgjencës të OBSH-së, Michael Ryan.

Duke u bashkuar me të, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ishte "shumë i kënaqur kur zbuloi se, për herë të parë, numri javor i vdekjeve të raportuara në katër javët e fundit ishte më i ulët se kur përdorëm fjalën "pandemi"për herë të parë, tre vjet më parë”.

"Ne jemi sigurisht në një pozicion shumë më të mirë sot se në çdo kohë gjatë pandemisë," tha ai.

Prandaj ai tha se ishte "i bindur" se OBSH mund të ulte nivelin maksimal të alarmit "këtë vit".

OBSH e shpalli këtë një "urgjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar" më 30 janar 2020, kur bota kishte më pak se 100 raste dhe asnjë vdekje jashtë Kinës, por ishte në mars 2020, kur Tedros e kishte shpallur situatën një pandemi, që bota e kuptoi plotësisht seriozitetin e kërcënimit për shëndetin.

"Ne kishim shpallur një emergjencë globale shëndetësore për t'i nxitur vendet të ndërmarrin veprime vendimtare, por jo të gjitha e bënë," tha ai sot.

“Tre vjet më vonë, janë raportuar gati shtatë milionë vdekje nga Covid-19, megjithëse e dimë se numri i vdekjeve nga ai është më i lartë”, shtoi ai.