Tanzani: Ekspertët po hetojnë sëmundjen misterioze "ngjitëse" që shkaktoi vdekjen e 5 personave
Tanzania u ka kërkuar ekspertëve mjekësorë të hetojnë një sëmundje misterioze " ngjitëse" që ka marrë tashmë pesë jetë në vend, thanë autoritetet.
Kjo sëmundje u zbulua në "shtatë persona me simptoma të tilla si ethe, të vjella, gjakderdhje dhe dështim të veshkave ", tha ministria e shëndetësisë e vendit në një deklaratë të lëshuar vonë dje, të enjten në mbrëmje.
Ekspertët mjekësorë janë dërguar në rajonin Kangera, në pjesën veriperëndimore të vendit, që kufizohet me Ugandën, për të kryer një hetim mbi këtë sëmundje "ngjitëse", tha zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Tumaini Nagu .
“Nga pacientët dhe të vdekurit u morën mostra për të identifikuar origjinën dhe llojin e sëmundjes ”, theksoi ajo, duke i bërë thirrje popullatës të ruajë qetësinë.
Kjo ngjarje vjen pas një epidemie të virusit Ebola në Ugandë, e cila zgjati gati katër muaj dhe shkaktoi vdekjen e 55 personave. Uganda shpalli fundin e epidemisë në janar.
Vitin e kaluar Tanzania zbuloi një shpërthim të leptospirozës , e njohur gjithashtu si "sëmundja e minjve", e cila vrau tre persona në rrethin Lidi në juglindje të vendit.
Kjo sëmundje bakteriale, e cila transmetohet te njerëzit nga disa gjitarë, përhapet nga uji ose ushqimi i kontaminuar nga urina e kafshëve të infektuara.