Shpëtohen 1 mijë emigrantë, roja bregdetare rikuperon personat nga tri varkat e mbingarkuara

Fenomeni i emigracionit ilegal drejt Italisë përmes detit, po vazhdon pavarësisht tragjedive ku më e fundit ishte ajo e 26 shkurtit, me të paktën 74 viktima. Të shtunën roja bregdetare italiane ndaloi të paktën tri varka të mbingarkuara, duke shpëtuar më shumë se 1 mijë persona.

Vetëm pak ditë pas tragjedisë në brigjet italiane ku të paktën 74 persona humbën jetën si pasojë e mbytjes së varkës me të cilën po udhëtonin në det ilegalisht, më shumë se 1.000 migrantë, të vendosur në tri varka të cilat ishin të mbipopulluara u shpëtuan në dy porte italiane të shtunën nga roja bregdetare.

Operacionet e shpëtimit u zhvilluan në të njëjtën ditë kur u zbulua trupi i viktimës së 74-të pas përmbytjes së varkës me migrantë në Itali gati dy javë më parë.

Viktima është një vajzë e moshës rreth 5-vjeçare.

Roja bregdetare bëri me dije se pas një operacioni të madh shpëtimi që filloi të premten, u shpëtuan mbi 1.000 migrantë, pas kapjes së tri varkave që po lundronin në jug të Italisë.

Varka e parë kishte 487 migrantë në bordin e saj, të cilët u rikuperuan në mënyrë të sigurtë në portin Crotone rreth orës 02:00 të mëngjesit të 11 marsit.

Në varkën e dytë ishin rreth 500 migrantë të tjerë në portin e Reggio Calabria.

Ndërsa varka e tretë kishte 379 persona, të cilët u shpëtuan nga dy mjete patrullimi të rojës bregdetare dhe migrantët u transferuan në një anije të marinës që drejtohej në portin siçilian të Augusta.

Tragjedia e fundit me migrantë në Itali, e cila ndodhi më 26 shkurt në brigjet e Kalabrisë, ka ngjallur kritika të ashpra ndaj qeverisë së krahut të djathtë të udhëhequr nga kryeministrja, Giorgia Meloni, për dështimin e saj për të ndërhyrë në kohë për të shpëtuar varkën që rrezikohej nga numri i madh i personave në bord dhe moti i keq.

Kryeministrja italiane në shkurt kishte shprehur “pikëllim të thellë” për përmbytjen e varkës, dhe ishte zotuar se do t’i japë fund migrimit të parregullt në rrugë detare, si mënyrë për të parandaluar më shumë tragjedi.

Ajo u ka dërguar një letër liderëve evropiane duke iu kërkuar veprim të shpejtë për të zgjidhur problemin afatgjatë të emigracionit ilegal.