Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në SHBA jep dorëheqjen këtë muaj
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price do të largohet këtë muaj nga posti pas më shumë se dy vitesh në detyrë, për të marrë një pozicion të ri pranë Sekretarit të Shtetit.
Lajmin e bëri të ditur vetë kreu i DASH, Antoni Blinken i cili e cilësoi Ned Price si si fytyra dhe zëri i politikës së jashtme të SHBA.
"Ai ka ndihmuar qeverinë amerikane të mbrojë dhe nxisë lirinë e shtypit në mbarë globin dhe ka dhënë shembullin e transparencës dhe sinqeritetit për të cilat ne bëjmë thirrje në vendet e tjera. Ndikimi i tij di të ndjehet në Departamentin e Shtetit për shumë kohë pasi ai të lërë detyrën" tha Blinken në deklaratë!
Price, mori detyrën e zëdhënësit më 20 janar 2021, ditën kur Joe Biden u inaugurua si president.
Ai e ka mbajtur këtë post në një periudhë kyçe për politikën e jashtme, gjatë agresionit rus ndaj Ukrainës dhe tërheqjes kaotike të diplomatëve dhe personelit tjetër nga Afganistani.
Shoqata e Korrespondentëve të Departamentit të Shtetit, e vlerësoi Price për rikthimin e konferencave të përditshme të shtypit dhe përballjen e tij me pyetjet e vështira të gazetarëve, si në rastin e tërheqjes nga Afganistani.
"Është një tregues i shëndetit të demokracisë amerikane” e cilësuan gazetarët sjelljen e zëdhënësit të DASH.