Prokurori i Përgjithshëm i SHBA e quan kriminel lufte kreun e organizatës paraushtarake ruse Wagner
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Merrick Garland, duke folur sot në një komision të Senatit e quajti Yevgeny Prigozhin, themeluesin dhe drejtuesin e kompanisë ruse mercenare Wagner, një "kriminel lufte".
Wagner është "përgjegjës për sulmet ndaj ukrainasve në Donbass", tha Garland, duke theksuar se ka rekrutuar të dënuar që i përdor si "mish për top" në fushën e betejës.
"Është e paimagjinueshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t'i ndaluar ata," vazhdoi ai, duke premtuar se do të ndihmojë drejtësinë ukrainase të hetojë krimet.
Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës Andriy Kostin njoftoi së fundmi hapjen e një hetimi kundër Prigozhin për "krime lufte".
61-vjeçari Yevgeny Prigozhin - i njohur me pseudonimin "kuzhinieri i Putinit" sepse kompania e hotelierisë që ai krijoi punon me Kremlinin - së fundmi pranoi se në vitin 2014 ai themeloi Grupin Wagner dhe financoi "fabrikat e trolleve" për fushata propagandistike në internet.
Ai është akuzuar në SHBA për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Anëtarët e Kongresit Amerikan po lobojnë që Wagner të caktohet zyrtarisht si "organizatë terroriste".
Deri më sot ajo trajtohet si një organizatë “kriminale”, si p.sh. mafia italiane apo japoneze.
