Betejë e pamëshirshme në Ukrainë, sulme intensive në qytetin lindor Bakhmut

Dita e parë e pranverës, sic ishte paralajmëruar, e gjeti Ukrainën nën sulme të ashpra nga rusët. Ushtria e Kremlinit ka intensifikuar sulmet në qytetin e Bakhmut, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha, por pa arritur të marrë qytetin ndërkohë sulme me dronë kamikazë janë kryer edhe në Luhansk. Sirenat e alarmit ajror janë dëgjuar edhe në Kiev.

Forcat ruse kryen sulme të pamëshirshme në ditën e parë të Marsit në qytetin e vogël lindor të Ukrainës, Bakhmut, në përpjekje për ta rrethuar atë.

Ata shaktërruan dhe dogjën ndërtesat, duke e shndërruar qytetin në vend të braktisur. Megjthatë, banorët, të cilët janë përafërsisht 70 mijë në këtë zonë, nuk heqin dorë nga shtëpitë e tyre.

"Është e frikshme. Unë mezi i lëviz këmbët kur dal jashtë. Por për sa kohë që shtëpia ime është e paprekur dhe nuk jam lënduar, do të qëndroj këtu”. Ne nuk do të heqim dorë nga Bakhmuti. Ne do ta mbajmë atë deri në fund.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se forcat ruse po bëjnë presion të madh nga veriu dhe jugu për të mbyllur edhe rrugën e vetme të mbetur, pas mbylljes së 3 të tjerave, megjithatë ky objekiv i tyre nuk u arrit.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy, në një fjalim video të martën vonë tha se beteja për Bakhmut ishte më e vështira, porse mbrojtja e tij ishte thelbësore. Më tej ai konifrmoi se intensiteti i luftimeve është në rritje.

Zona përreth Bakhmutit ka parë luftimet më të përgjakshme të kësaj beteje, pasi rsuër drejtoheshin nga Wagner, dhe në front dërguan mijëra të dënuar të marrë nga burgjet. Mediat ukrainase, raportojnë për sulme edhe në zona të tjera të vendit.

Në rajonin e Luhanskut, numri i sulmeve me dronë kamikaze Lancet është rritur, sipas kreu të  Administratës Rajonale Serhiy Gaidai. Ndërkaq, alarme për sulme ajrore ka pasur edhe në kryeqytetin e vendit në Kiev.