Lufta kundër spiunazhit, sfidë për Australinë

Kreu i agjencisë vendase të shërbimit sekret australian ASIO ka thënë se vendi po sheh një nivel “të paprecedentë” të spiunazhit dhe ndërhyrjes së huaj.

Në vlerësimin e tij vjetor të kërcënimit, Drejtori i Përgjithshëm i ASIO, Mike Burgess paralajmëroi se “vende të shumta” po përdornin spiunazhin për të çuar përpara interesat e tyre në Australi.

“Disa nga qeveritë që bëjnë këto gjëra konsiderohen miq. Të tjerat janë regjime autoritare me vlera shumë të ndryshme nga tonat”, tha ai.

“Shumëllojshmëria e qeverive që kryejnë spiunazh do t’ju befasojë”, tha Burgess.

Duke folur në selinë e ASIO në Canberra të martën në mbrëmje, kreu i agjencisë tha se Australia “po përballet me një sfidë të paprecedentë nga spiunazhi dhe ndërhyrja e huaj dhe nuk jam i bindur, si komb, ne e vlerësojmë plotësisht dëmin që ajo shkakton në sigurinë dhe demokracinë e Australisë, sovranitetin, ekonominë dhe struktura sociale”.

“Më shumë australianë janë në shënjestër për spiunazh dhe ndërhyrje të huaja se në çdo kohë në historinë e Australisë – më shumë shërbime të inteligjencës së huaj armiqësore, më shumë spiunë, më shumë shënjestrim, më shumë dëme, më shumë hetime ASIO, më shumë ndërprerje të ASIO”, tha Burgess.

Kreu i agjencisë tha se figura të drejtësisë, gazetarë dhe veteranë ushtarakë ishin në mesin e atyre që ishin në shënjestër nga shërbimet e huaja sekrete.

Burgess paralajmëroi gjithashtu se, pavarësisht uljes së nivelit të kërcënimit nga terrorizmi në “të mundshme” vitin e kaluar, rreziku nuk ishte “shuar”.

Megjithatë, ai theksoi se “spiunazhi dhe ndërhyrja e huaj tani janë shqetësimi ynë kryesor i sigurisë”. /ATA