Pas Biden, edhe kryeministrja italiane në Ukrainë
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka vizituar sot Kievin, ku do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Meloni, e cila mori detyrën në tetor, ka shprehur vazhdimisht dëshirën për ta vizituar Ukrainën.
“Jam e nderuar, të jem këtu”, ka deklaruar sapo ka mbërritur në tokën urkainase me tren nga Polonia ku një ditë më parë zhvilloi një takim pune me homologun Morawiecki.
“Dua të kuptoj se çfarë i duhet këtij populli.
“Mendoj se është e drejtë të jesh këtu për të ripërsëritur qëndrimin e qeverisë italiane dhe ndoshta edhe për të kuptuar personalisht atë që i nevojitet një populli që lufton për liri. Është gjithmonë ndryshe të shohësh me sytë e tu, mendoj se i ndihmon edhe italianët të kuptojnë,” tha ajo.
Kryeministrja u zhvendos nga stacioni i Kievit në hotel për një pushim të shkurtër pas udhëtimit gjatë natës me tren nga Polonia.
Giorgia Meloni pritet të zhvillojë një takim në Pallatin Presidencial me Presidentin Zelensky e më pas të vizitoj vendet dramatike të luftës si Irpin e Bucha.
Rreth pasdites kreyminsitrja italiane do të udhëtoj përsëri me tren drejt Polonisë e më pas me një fluturim ajror drejt Romës.
Pas marrjes së detyrës, ajo tha se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e Qeverisë së re italiane.
Ish-kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka qenë një prej mbështetësve më të fuqishëm të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, pavarësisht se Italia ka varësi të madhe ndaj gazit rus.
Roma po ashtu ka dërguar armë për t’i ndihmuar Kievit që të luftojë forcat e presidentit rus, Vladimir Putin.
