Lëkundjet e djeshme të tërmetit, 3 viktima, 213 të plagosur e të tjerë të bllokuar sërish nën rrënoja

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë edhe një herë për njerëzit e bllokuar nën rrënoja në Turqi pasi dy tërmete të tjera goditën vendin, duke vrarë të paktën tre persona.

Lëkundjet me magnitudë 6.4 dhe 5.8 goditën në jug-lindje pranë kufirit me Sirinë, ku tërmete masive shkatërruan të dy vendet më 6 shkurt.

Tërmetet e mëparshme vranë 44,000 njerëz në Turqi dhe Siri dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë.

Ndërtesat e dobësuara nga këto lëkundje u shembën në të dy vendet të hënën.

Agjencia turke e fatkeqësive dhe emergjencave thotë se tërmeti me magnitudë 6.4 ndodhi në orën 20:04 me orën lokale, i ndjekur nga tërmeti 5.8 tri minuta më vonë.

Tre vdekjet ndodhën në Antakia, Defne dhe Samandag, tha Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu, duke u kërkuar njerëzve të mos hyjnë në ndërtesa potencialisht të rrezikshme.

Soylu tha se 213 persona ishin plagosur gjithashtu.

Raportet nga qyteti i Antakias flisnin për frikë dhe panik në rrugë, ndërsa ambulancat dhe ekipet e shpëtimit u përpoqën të arrinin në zonat më të prekura, ku muret e ndërtesave të dëmtuara rëndë ishin shembur.

"Mendova se toka do të çahej nën këmbët e mia," tha banorja lokale Muna al-Omar për agjencinë e lajmeve Reuters, duke qarë ndërsa mbante djalin e saj shtatëvjeçar. Ajo kishte qenë në një tendë në një park në qendër të qytetit kur ranë tërmetet e reja.