Koreja e veriut tregon “forcën” Ushtria e Phenianit teston raketa balistike

SHBA dhe Koreja e Jugutn po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në kufi me Korenë e Veriut, por kjo e fundit i sheh ato si prova të qarta pushtimi. Në përgjigje të manovrave pranë saj, Koreja e Veriut testoi dy raketa të fuqishme balistike të cilat tha se paqësori ishte në rrezen e goditjes.

Koreja e Veriut lëshoi të hënën edhe dy raketa balistike, duke shënuar kështu testimin e dytë të armëve brenda 48 orëve.

Pheniani zyrtar bëri me dije se kjo ishte një stërvitje për një raketëhedhës të aftë për një "sulm taktik bërthamor" që mund të shkatërronte të gjitha bazat ajrore të armikut.

Ushtria e Koresë së Veriut testoi një nga raketat balistike ndërkontinentale më të fuqishme edhe dy ditë më parë dhe paralajmëroi për më shumë veprime të ngjashme, përderisa motra e liderit Kim Jong Un e quajti Paqësorin “rreze të sulmit”.

Seuli dhe Uashingtoni – të cilët po përforcojnë bashkëpunimin për siguri në rajon pas kërcënimeve të vazhdueshme nga Koreja e Veriut – organizuan stërvitje të përbashkëta ajrore pas nisjes së raketës ICBM.

Ky veprim rriti zemërimin e Koresë së Veriut e cila ushtrime të tilla i sheh si prova të qarta për pushtim.

Tensionet janë shtuar pasi Koreja e Veriut vitin e kaluar e shpalli veten fuqi bërthamore "të pakthyeshme" dhe Kim Jong Un bëri thirrje për një rritje "eksponenciale" të prodhimit të armëve.

Ushtria e Koresë së Jugut, e cila deklaroi se kishte detektuar lëshimin e dy raketave balistike me rreze të shkurtër herët të hënën, e quajti vargun e testeve të armëve nga Pyongyangu "një provokim serioz që minon paqen dhe stabilitetin në gadishullin Korean".

Të hënën, ministria e jashtme e Seulit vendosi sanksione të reja ndaj katër individëve dhe pesë subjekteve të lidhura me programet e armëve të Koresë së Veriut .

“Qeveria jonë e ka bërë të qartë se provokimet e Koresë së Veriut në mënyrë të pashmangshme do ta kenë një çmim”, thuhet në një deklaratë.Të martën e 21 Shkurtit Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim për të diskutuar mbi situatën.