Lufta në Ukrainë, Victor Orban bën kthesë, ndihmë për Kievin: Zgjidhja e konfliktit s`janë sanksionet

Hungaria e cila i ka kritikuar sanksionet ndaj Rusisë pas nisjes së luftës në Ukrainë, duket se ka ndryshuar qëndrim pasi kryeministri Victor Orban ka ofruar ndihmë humanitare dhe financiare për Kievin. Megjithatë ai thekson se zgjidhja e këtij konflikti nuk janë sanksionet por negociatat midis Uashingtonit dhe Moskës.

Kryeministri hungarez Viktor Orban konfirmoi ndryshimin e qëndrimit të vendit të tij në lidhje me luftën në Ukrainë, pas një takimi me presidentin Zelensky. Dy zyrtarët u takuan në kuadër të seancës së posaçme në Parlamentin Europian për situatën në Ukrainë dhe mbështetjen nga vendet e unionit për autoritetet e Kievit në përballje me agresionin rus. Pas takimit me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel, më 9 shkurt, Orban bëri me dije se Budapesti "i përket kampit të paqes".

Sekretari hungarez i Shtetit për Marrëdhëniet me Jashtë, Zoltan Kovacs, e citoi atë të thoshte se Hungaria mbështeti "një armëpushim të menjëhershëm për të shmangur vdekjet e mëtejshme". Orban shtoi se Hungaria do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare dhe financiare për Ukrainën. Këto qëndrime përbëjnë një ndryshim nga komentet e mëparshme të autoriteteve të Hungarisë e cila më parë ka kritikuar vazhdimisht sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, dhe deri në një marrëveshje të arritur në dhjetor, bllokoi një paketë ndihme prej 18 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën e nisur më 24 shkurt të 2022-s, si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Qeveria e Hungarisë, ka këmbëngulur se sanksionet po dëmtojnë vendet evropiane më shumë se Rusinë dhe deklaroi se vetëm negociatat midis Moskës dhe Uashingtonit, dhe jo tërheqja e trupave ruse nga Ukraina, mund t'i japin fund luftës.