"Në garë me kohën", OBSH: 23 milionë njerëz mund të preken nga tërmeti! UNICEF: Mijëra fëmijë mund të jenë vrarë
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se rreth 23 milionë njerëz mund të preken nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë jugore mëngjesin e djeshëm, i cili ka lënë mbi 5000 të vdekur dhe mijëra të tjerë të plagosur.
“Hartat e përmbledhjes së ngjarjeve tregojnë se potencialisht 23 milionë njerëz janë të ekspozuar, duke përfshirë rreth 5 milionë popullsi të cenueshme, përfshirë më shumë se 350,000 të moshuar, 1.4 milionë fëmijë,” tha zyrtari i lartë i urgjencave të OBSH-së Adelheid Marschang në mbledhjen e bordit ekzekutiv të agjencisë shëndetësore të OKB-së në Gjenevë.
Kreu i OBSH shprehu shqetësimin e tij për situatën, duke e quajtur atë një garë me kohën.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për zonat ku nuk kemi ende informacion. Hartëzimi i dëmit është një mënyrë për të kuptuar se ku duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë.”, tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ndërkaq, agjencia për fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) tha se tërmetet dhe goditjet pasuese, që shkatërruan mijëra ndërtesa në Turqi dhe Siri, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë.
“Tërmetet që goditën jugun e Turqisë dhe veriun e Sirisë mëngjesin e ditës së djeshme, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.
Ai shtoi se kjo agjenci e OKB-së nuk ka mundur të saktësojë numrin e fëmijëve të vrarë.
Në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit, Turqia dhe Siria u goditën nga një tërmet prej 7.8 ballësh. Më vonë gjatë të hënës, edhe një tërmet i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit goditi Turqinë.
Dy tërmetet e fuqishme, dhe qindra goditje të tjera pasuese, shkaktuan mbi 5.000 viktima në dy shtetet. Po ashtu, mijëra persona konsiderohen të zhdukur, pas shembjes së shumë ndërtesave.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, përderisa dhjetëra vende në mbarë botën kanë ofruar ndihmë për të gjetur të mbijetuar të tjerë./REL




