Borë, ngrica e dallgë/ Rrugët në zonat malore me goma dimërore. Në Durrës e Vlorë pezullohet lundrimi, rritet prodhimi i energjisë

Shqipëria është përfshirë nga ulja e temepraturave, reshjet e dëborës dhe ngricat. Në zonat malore ende nuk janë paraqitur problematika, ndërsa autoritetet bëjën thirrje për përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve. Ndërkohë lundrimi i trageteve është pezulluar në Durrës drejt Barit dhe në Vlorë drejt Brindizit.

Ulja e ndjeshme e temperaturave ka bërë që në pjesën malore të territorit të ketë reshje dëbore dhe ngrica.

Në Qarkun Korçë gjatë natës ka patur rreshje dëbore shoqëruara në disa zona edhe me erë.

Trashësi e dëborës atje shkon nga 5 deri në 20 centimetër.

Ne akset rrugore nacionale dhe turistike nuk ka probleme dimërore për qarkullimin e mjeteve, ndërsa rekomandohet përdorimi i gomave dimërore.

Edhe në zonat malore të Shkodrës ka pasur reshje dëbore, ndërsa autoritetet thanë se të gjitha akset janë të hapura.

Ndërkohë në zonat bregdetare paralajmërimi për prishjen e motit ka sjellë pezullimin e lundrimeve.

Në Durrës kompanitë e lundrimeve bëjnë të ditur se dy tragetet që ishin parashikuar mbrëmjen e së shtunës nga Porti i Durrësit drejt Barit, do të anulojnë lundrimet.

Në Portin e Vlorës, Në momentin e fundit para imbarkimit, është pezulluar lundrimi i tragetit Vlorë- Brindizi. 

Sipas kapitenerisë së portit, ka qenë njoftimi i autoritetit portual në Brindizi, ai i cili ka pezulluar këtë lundrim për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit. 150 pasagjerët që do të lundronin drejt Brindizit janë kthyer sot deri në një njoftim të dytë .

Sa i përket situatës hidrike në Kukës, edhe  katër metra kanë mbetur për kuotën maksimale të liqenit të Fierzës, i cili  është ngritur në nivelin e 292 metrave, duke ju afruar kuotës maksimale 296 metra.

Sipas të dhënave nga Koorporata Energjetike Shqiptare, situata në Kaskadën e Drinit është përmirësuar falë prurjeve natyrore dhe reshjeve.

Ndërkohë përmirësimi i situatës hidrike në Kaskadën e Drinit, kanë rikthyer ekuilibrat në sektorin energjetik e për rrjedhojë edhe shitje të mbiprodhimit të energjisë.

Vetëm gjatë janarit të këtij viti, KESH-i ka realizuar rreth 15 milionë euro nga eksporti i energjisë.

 KESH ka eksportuar më shumë se 135 mijë megavat/orë energji.