"Dokumentet e klasifikuara" FBI kontroll pa urdhër në një nga shtëpitë e Biden

Vijon kontrolli për dokumente të klasifikuara të presidentit amerikan Joe Biden. Këtë herë në një nga shtëpitë e tij ka zbarkuar FBI duke mos gjendur asnjë dokument përveç disa materialeve dhe shënimeve në kohën kur ai ishte nënpresident, të cilat janë marrë për shqyrtim.

FBI-ja nuk gjeti dokumente të klasifikuara gjatë një kontrolli të urdhëruar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në një nga shtëpitë e Presidentit Joe Biden, në Rehoboth, Delaëare, njoftoi avokati personal i zotit Biden, Bob Bauer.

Zoti Bauer tha me anë të një deklarate se nga kontrolli në shtëpinë e plazhit të zotit Biden u morën disa materiale dhe shënime nga koha kur ai ishte nënpresident për një analizë të mëtejshme.

Disa "materiale dhe shënime të shkruara me dorë" që duket se datojnë në kohën e zotit Biden si zëvendëspresident midis viteve 2009-17 u morën për "shqyrtim të mëtejshëm", shtoi Bauer.

Kontrolli rreth katër orësh i pronës lidhet me një hetim më të gjerë për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.

FBI nuk ka komentuar mbi kërkimin dhe duke qenë konsensuale dhe me bashkëpunimin e plotë të presidentit, nuk u kërkua asnjë urdhër kërkimi.

Kontrolli u bë si pjesë e hetimit për materialet e klasifikuara, nga koha kur ai ishte nënpresident.

Kontrolli nga agjentët e FBI-së duket të jetë një zgjerim i hetimit për mënyrën se si veproi zoti Biden me dokumentet e klasifikuara. Materiale të tilla janë gjetur në shtëpinë e tij në Uilmington të Delauerës dhe në një zyrë që ai përdori pasi shërbeu si nënpresident gjatë administratës së presidentit Barack Obama.

Kërkimi është i fundit në një seri të kryer në vende të ndryshme, pasi dokumentet e klasifikuara u gjetën në Qendrën Penn Biden - një hapësirë zyre - në Uashington DC në nëntor. Kjo nuk u bë publike në atë kohë.

Kjo çështje është bërë problematike për zotin Biden, i cili pritet të shpallë kandidaturën për t’u rizgjedhur në javët ose muajt e ardhshëm. Gjetja e dokumenteve të klasifikuara i heq atij dhe demokratëve të tjerë një argument kundër ish-presidentit Donald Trump, të cilit gjithashtu iu gjetën dokumente të klasifikuara në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago.

Dokumente të klasifikuara janë gjetur edhe në shtëpinë e ish-nënpresidentit Mike Pence.

Zoti Biden është zotuar të bashkëpunojë dhe zoti Pence ka thënë se merr përgjegjësi për dokumentet e gjetura. Zoti Trump u rezistoi përpjekjeve për të kthyer materialet në zotërim të tij dhe si rezultat, FBI-ja ndërmori një kontroll në Mar-a-Lago