"Më mirë në Matematikë se në Gjuhë"/ Rritet kalueshmëria tek maturantët, vajzat mësojnë më shumë se djemtë
Në prezantimin e notave të maturës së vitit 2022 Ministria e Arsimit ka theksuar se mbi 98 për qind e nxënësve marrin notën mbi 5. Ndërsa më shumë notën maksimale në shkolla e marrin në Matematikë dhe Gjuhë të Huaj. Madje në gjuhën e nënës vetëm 3.7 për qind e maturantëve marrin notën 10. Sa i përket renditjes së gjimnazeve ministrja Evis Kushi ka zbuluar edhe pakënaqësitë që kanë pasur shkollat, ndaj dhe paralajmëroi një tjetër metodologji vlerësimi
Në një studim të notave për maturën shtetërore 2021 – 2022 ministria e arsimit shprehet se është rritur si nota mesatare ashtu dhe kalueshmëria.
Ndërsa rezultatet më të larta janë shënuar në qytetet kryesore ku dhe për qendrimi i nxënësve është më i lartë.
"Nota mesatare vjetore në vitin 2022 është 7.20 përkundrejt notës mesatare të provimeve të maturës 7.42. Kalueshmëria në provimet e maturës në rang kombëtar është 98.70%," tha ekspertja.
Por duket se lënda e Gjuhës Shqipe është më e vështirë ndër tre lëndët kryesore.
"Me notën 10 në lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi janë vlerësuar 3.7% e maturantëve ndërsa në lëndën Matematikë me notën 10 janë vlerësuar 11.6% e maturantëve," tha ajo.
Ashtu si pritej vajzat mësojnë më shumë se djemtë, ndërsa në qytete rezultatet janë më të larta se në fshatra.
"Në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi shohim që me notën 8,9,10 janë vlerësuar më shumë vajzat sesa djemtë, dhe me notën 4,5,6,7 janë vlerësuar më shumë djemtë. Në Matematikë kemi notën 7,8,9,10 që janë vlerësuar më shumë vajzat dhe 4,5,6 janë vlerësuar më shumë djemtë," tha ajo.
Megjithatë në këtë vit akademik nuk u bë renditja e gjimnazeve, por për këtë do të ketë një rregullore të re që do të përcaktohet në muajin mars.