“Leopardët” gjermanë në Ukrainë

Qeveria gjermane deklaroi se do të furnizojë me tanke "Leopard 2" ushtrinë ukrainase. Mediat vendase thonë se fillimisht Ukrainës do ti dorëzohen 14 njësi, ndërkohë vendimi do të diskutohet edhe në parlament. Nga ana tjetër edhe SHBA dhe vende të tjera të NATO-s kanë deklaruar gatishmërinë për të nisur tanke drejt Ukrainës, por ky proces pritet të zgjasë me muaj.

Gjermania ka vendosur të dërgojë tanke "Leopard 2" në Ukrainë duke i dhënë kështu fund dilemës disa javore.

Ky vendim erdhi nga kancelari,Olaf Scholz, dhe pritet të diskutohet edhe në parlamentin gjerman, ndërsa shumë shpejt pritet finalizimi i operacionit të dorëzimit të tankeve tek ushtria e Ukrainës.

Mediat vendase thonë se përafërsisht bëhet fjalë për 14 tanke, të njëjtin numër që edhe Polonia synon ti japë Ukrainës, ndërkohë që edhe Mbretëria e Bashkuar ka ofruar gatishmërinë për dorëzimin e tankeve të tipit "Challenger 2".

Krahas Gjermanisë, administrata amerikane e Joe Biden, sipas CNN, po përgatitt dërgimin të një "numri të konsiderueshëm" tankesh "M1 Abrams".

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se njoftimi mund të bëhet që në fillim të kësaj jave për nisjen e të paktën 30 tankeve.

Dërgimi i mjeteve të tilla ushtarake erdhi pas kërkesës së presidentit Zelensky që u pasua me  konsulta mes vendeve europiane, anetarëve të NATO-s dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Disa shtete të tjera si Finlanda kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Ukrainën me tanke por shifra duket e largët nga parashikimet e presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se duhen të paktën rreth 300 mjete luftimi Leopard për të mposhtur kundërshtarët rusë.

Qëndrimi hezitues i palës gjermane shkaktoi një ngërç pasi ligjet e Berlinit kërkojnë që edhe shtetet e huaja që kanë tanke të marra në Gjermani, të kërkojnë autorizim për transferimin e tyre.

Nga ana tjeter kancelari Olaf Scholz ka këmbëngulur që dërgimi i tankeve në Ukrainë të ishte një vendim kolektiv i vendeve anëtare të NATO-s dhe BE dhe jo thjesht një akt i Berlinit.