SHBA: Ukraina të ndalë ofensivën! Kievi të shfrytëzojë arsenalin e armëve për mbrojtje
Fitues në luftë del gjithmonë ai që zgjedh strategjinë më të mirë. Për këtë arsye amerikanët i sugjerojnë Ukrainës që të mos vazhdojnë ofensivën në këto momente ndaj Rusisë, deri në mbërritjen e arsenalëve të reja të armëve dhe përfundimit të marrëveshjes me Gjermaninë që do t’i furnizonte me tanke.
Zyrtarë të lartë amerikanë, po e këshillojnë Ukrainën që të mos nisin një ofensivë të madhe kundër forcave ruse, derisa të arrijnë furnizimet e fundit me armatim amerikan dhe të ofrohen trajnime.
Deklaratat raportohet se vijnë nga zyrtar i lartë i administratës së presidentit Joe Biden, i cili duke folur për mediat në kushte e anonimitetit, ka shtuar se SHBA nuk dëshiron që tani t’i ofrojë Ukrainës tanke Abrams, pa gjetur një gjuhë të përbashkët me Gjermaninë.
Ndërkohë presidenti Joe Biden, që ka miratuar një paketë të re armësh prej 2.5 miliardë dollarësh për Ukrainën, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, “Ukraina do të marrë të gjithë ndihmën që i duhet”. Kështu deklaroi presidenti amerikan kur u pyet nëse mbështet qëllimin e Polonisë që të dërgojë në Ukrainë tanke Leopard të prodhimit gjerman.
Bisedimet e SHBA-së me Ukrainën lidhur me çdo kundërofensivë kanë qenë në kontekstin që ukrainasit të stërviten fillimisht për armët që do të marrin nga SHBA-ja, tha zyrtari.
Zyrtarët amerikanë besojnë se ukrainasit do të ishin më të suksesshëm nëse fillimisht trajnohen të përdorin armatimet e reja.
Të enjten, SHBA-ja njoftoi se do të dërgojë në Ukrainë qindra autoblinda.
Një delegacion i lartë amerikan, përfshirë nënsekretaren e Shtetit, Wendy Sherman, dhe zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare, Jon Finer, ishin në Kiev ditët e fundit për bisedime me zyrtarët ukrainas.
Po ashtu, zyrtarët amerikanë po këshillojnë Ukrainën se si të kryejë luftën pa e ndjekur ritmin e Rusisë që po sulmon vazhdimisht me artileri sepse në fund, Moska mund të fitojë avantazh nëse ndiqet kjo rrugë.


