Moska: Sulmet në Ukrainë natën e ndërrimit të viteve kishin në shënjestër fabrikat e dronëve
Ushtria ruse njoftoi sot se bombardimet që goditën disa qytete të Ukrainës, përfshirë Kievin natën e ndërrimit të viteve, kishin për qëllim objektet e prodhimit të dronëve dhe për të parandaluar "sulmet terroriste" të planifikuara.
“Më 31 dhjetor 2022, Forcat e Armatosura Ruse kryen një sulm ajror me rreze të gjatë kundër objekteve të industrisë së mbrojtjes ukrainase të përfshira në prodhimin e dronëve sulmues të përdorur për të kryer sulme terroriste kundër Rusisë”, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes.
“Planet e regjimit të Kievit për të kryer sulme terroriste kundër Rusisë në të ardhmen e afërt janë penguar”, nënvizohet në deklaratë.
Moska shpesh i përshkruan operacionet e kryera nga ushtria ukrainase në tokën ruse ose në instalimet ruse në Ukrainë si "veprime terroriste".
Ushtria ruse gjithashtu theksoi se do të vazhdojë ofensivën e saj në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore, ku aktualisht janë përqendruar shumica e luftimeve.
Sulmet ruse që synonin Kievin dhe qytetet e tjera të Ukrainës të shtunën lanë tre të vdekur dhe 50 të plagosur, sipas të dhënave të fundit të autoriteteve ukrainase.
