Zelensky në Washington, udhëtimi i parë jashtë vendit që prej nisjes së luftës. Merr një seri raketash Patriot

Volodymyr Zelenski po zhvillon vizitën e tij të parë në SHBA që prej nisjes së luftës në vendin e tij. Shtëpia e Bardhë pasi konfirmoi këtë udhëtim tha se Washingtoni do të furnizojë Ukrainën me raketa Patriot.

Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski do të zhvillojë një takim këtë të mërkurë me presidentin amerikan Joe Biden.

Që kur Rusia nisi luftën në shkurt të këtij vitit në Ukrainë, presidenti nuk ka udhëtuar jashtë vendit dhe kjo vizitë në Washington është e para që prej kësaj kohe.

Nga ana tjetër edhe Shtëpia e Bardhe e ka konfirmuar këtë udhëtim dhe tha se do të furnizojë Ukrainën me raketat  Patriot, duke rritur ndjeshëm aftësinë e mbrojtjes ajrore të vendit.

Në axhendën e tij të sotme, presidnenti ukrainas do ti adresohet Kongresit teksa do të zhvillojë edhe disa mbledhje.

Ai shkroi në Twitter se është rrugës për në SHBA për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.

Zelensky rregullisht pret liderë të huaj në kryeqytetin e Kievit ku gjithashtu ka folur shpesh me liderët botërorë me telefon dhe me video-telefonatë.

Por vizita e papritur në një vend të huaj shënon të parën që nga fillimi i luftës dhe gjithashtu sinjalizon rëndësinë e marrëdhënieve të Ukrainës me SHBA-në, e cila ka luajtur një rol udhëheqës në ofrimin e mbështetjes ushtarake.

Zelensky ka apeluar për më shumë fonde dhe ka thënë se kostoja mujore e mbrojtjes për Ukrainën është rreth 5 miliardë dollarë.

Zyrtarët ukrainas kanë bërë gjithashtu thirrje prej kohësh për sisteme më të fuqishme të mbrojtjes ajrore nga Perëndimi. Sistemi i ri i raketave Patriot do t'i mundësojë Ukrainës të mbrojë infrastrukturën e saj jetike kundër sulmeve ruse.

Rusia ka synuar sektorin energjetik të Ukrainës, duke lënë miliona njerëz në errësirë në temperaturat e dimrit që janë disa gradë nën zero.