FIFA na diskriminoi, ne e pranuam
Në 10 Dhjetor 1948 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut.
Kjo deklaratë në nenin 2 të saj përcakton se: "Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare e shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër."
Statuti i FIFA-s në nenin 3 përcakton se:
"Diskriminimi i çfarëdolloj ndaj ndonjë vendi, personi privat apo grupi shoqëror për shkak të origjinës etnike, gjinisë, gjuhës, besimit, bindjes politike ose ndonjë arsye tjetër është rreptësisht i ndaluar dhe i dënueshëm me pezullim apo përjashtim."
FIFA si entiteti juridik që organizon kampionatin botëror të futbollit është autoriteti përgjegjës për të gjitha veprimet/mosvperimet, aktet të cilat diskriminojnë shtete apo individ të caktuar gjatë eventimenteve të saj.
Në ndeshjen Serbi-Zvicër të luajtur në Katar në një ndeshje zyrtare të Kupës së Botës të organizuar nga FIFA prej këtij organizimi u ndalua futja dhe shfaqja në stadium e flamurit të Republikës së Shqipërisë. Ndeshjet e kampionatit botëror janë festa ku pjesëmarrja nuk kufizohet vetëm te vendet pjesëmarrëse, por përtej tyre si dëshmi e diversitetit dhe mesazheve përbashkuese mes kombeve.
Gjithashtu nga punonjësit e sigurisë së stadiumit u provua botërisht para kamerave se u nxor prej stadiumit një zonjë e cila bëri simbolin e shqiponjës.
Moslejimi i tifozëve të mbanin flamurin e një Republike të njohur ndërkombëtarisht dhe anëtare të OKB-së nga ana e organizatorëve është akt i rëndë diskriminues me baza etnike i kryer në shkelje të plotë të konventave ndërkombëtare dhe vetë statutit të FIFA-s.
Ndalimi i një qytetareje të shpreh përkatësinë dhe krenarinë e saj duke u identifikuar me simbolin e shqiponjës pa kryer asnjë akt agresioni apo fyerje ndaj një pale tjetër është një akt i shëmtuar diskriminues i kryer botërisht.
Përballë këtyre akteve diskriminuese Federata Shqiptare e Futbollit dhe Shteti Shqiptar përmes Ministrisë së Jashtme do duhej të paraqisnin ankesa dhe nota proteste duke kërkuar marrjen e masave korrigjuese.
Kjo heshtje është veçse pranim i diskriminimit që na është bërë botërisht. Është veçse pranim i faktit që shqiptari nuk mund ta deklaroj e shpërfaq lirshëm identitetin e tij pasi përndiqet dhe shteti vetë nuk i del krahë.
Kjo është e papranueshme.

