Urdhri i prokurorisë, edhe pse ligjor, rezulton shumë qesharak

Prokuroria ka vendosur ndalimin e çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, duke deklaruar se “publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare”.

Ky qëndrim edhe pse mund të jetë ligjor, rezulton më shumë si qesharak, pasi qartazi është vetëm një përpjekje e organit hetimor për të ruajtur qeverinë shqiptare nga skandali që mund ta përfshijë pas publikimit të këtyre të dhënave.

Në fakt, prokuroria është treguar qesharake edhe më parë, kur shumë të dhëna të shqiptarëve dolën në publik, kur qeveria mbrojti patronazhistët me krenari, ndërkohë që të dhëna pagash e targash u bënë publike.

Tashmë sërish organet hetimore duan të bllokojnë faktet që mund të mësojnë shqiptarët se si institucionet shtetërore janë shpesh qesharake, që vetëm zbatimin e ligjit nuk e shohin si të rëndësishme.

Dhe tashmë që të dhënat i kanë të huajt, që i kanë shpërndarë në miliona llogari në telegram, instagram apo në platforma të tjerra të komunikimit online, prokuroria duket sikur vihet në shërbim të qeverisë që të mos dalin në publik skandale të tjera, që hakerat mund të vijojnë të publikojnë.

Në këtë aspekt prokuroria duket sikur po i shërben vetëm modelit që inkurajon kryeministri Rama, që bën gjithçka që shqiptarët të mos informohen.

Për këtë model do të mjaftonte fakti se si Rama kërkon të ketë komunikimin me publikun vetëm duke iu drejtuar atyre qytetarëve që ka në rrjetin e tij social, që shpesh i cakton vetë, dhe jo të komunikojë me gazetarët dhe të lejojë të pyetet për atë që publiku ka nevojë të dijë prej atij që menaxhon taksat e tyre.

Prokuroria shqiptare mund të kërkojë mospublikime faktesh nëse gazetari shqiptar do të kishte fakte nga një burim që do e siguronte ai.

Por në këtë rast, media shqiptare thjesht po tregon se të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë, si dhe komunikimet e zyrtarëve që paguhen nga taksat e shqiptarëve, kanë dalë në shesh.

Prokuroria në këtë rast thjesht po sillet si mbrojtësi i një fëmije që ka bërë zarar në shkollë e lagje, por që ajo kujdeset që vetëm prindërit e tij të mos e marrin vesh…