Sukses europian për adoleshentët shqiptarë në peshëngritje, shkëlqen talenti nga Shtërmeni
Shtërmeni për shtangën shqiptare është njëlloj si Brazili për futbollin botëror. Një hambar kampionësh dhe talentesh që rriten në fshatin e vogël të Peqinit. I fundit në radhën e kampionëve të peshengritjes të rritur në Shtërmen është Ertjan Kofsha, kampioni më i ri europian i cili ka mahnitur me paraqitjen e tij në Kampionatin Europian të peshëngritjes për moshat U-15 dhe U-17, që po mbahet në Raszyn të Polonisë.

Talenti i stërvitur nga trajneri i mirënjohur Leonard Toska ka fituar tre të arta në kategorinë U-17. Ai shkëlqeu në kategorinë deri 89 kg. duke lënë pas gjithë rivalët bashkëmoshatarë me 145 kg. në stilin e shkëputjes, 168 në stilin e shtytjes, duke e mbyllur dygarëshin me 308 kg.
Arritje fantastike për adoleshentin kuqezi që mund të konsiderohet edhe si e ardhmja e shtangës shqiptare dhe shpresa më e madhe për Shqipërinë në ëndrrën për të fituar një medalje olimpike. Delegacioni shqiptar e mbylli aventurën e të rinjve në Poloni edhe më një sukses tjetër, atë të Enkileda Carjas që u rendit e treta në kategorinë U-15.

