Në Shqipëri nuk ia dinë emrin, në Greqi e dinë se si do të vendosë presidenti i ri për detin
Një postulat i njohur që reflekton në mënyrë të përmbledhur gjithë çfarë është diplomacia e që na vjen edhe prej përvojës së brezave që kanë shenjuar me kontributet e tyre historinë e diplomacisë, thotë se “gjysma e artit të diplomacisë është të mos themi asgjë, sidomos kur flasim”.
Mirëpo, krejt ndryshe prej kodeve të asaj që quhet “gjuha diplomatike”, Ministri i Jashtëm i Republikës Helenike Nikos Dendias foli e tha shumë më tepër nga sa duhej të dinte e të thoshte në fakt.
Dhe si për të vazhduar arrogancën e pakuptimtë që shfaqi në Tiranë, teksa në lidhje me atë që është quajtur çështja çame tha se "nuk duhet të krijohen çështje që nuk ekzistojnë, sepse kjo do të çonte në pasoja me nivele të shumëfishta ku Greqia do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë me itinerarin e Shqipërisë në Evropë.
Kryediplomati helen provokoi rendë disa ditë pas vizitës që kreu në Tiranë, ndërsa dha një intervistë ne vendin e vet, kur referuar problemit të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë tha se:
"Shqipëria ka rënë dakord me ne që t’ia referojmë çështjen tonë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës kryeministrit. Me sa duket, Shqipëria do të zgjedhë një President të ri brenda dy-tre muajve të ardhshëm. Pra, e gjithë kjo do të jetë e realizueshme që atëherë.
Pa dashur të komentojmë historikun e problemit të ndarjes së kufirit detar mes dy vendeve e që më dukshëm u shpërfaq pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrezoi në vitin 2009 marrëveshjen e arritur mes qeverive të asaj kohe, pyetja që lind është: nga e di Ministri i Jashtëm i Greqisë që Presidenti i ri që do të zgjidhet për të zëvendësuar Presidentin në ikje Ilir Meta, pasi të fillon punë më 24 korrik, do të firmosë ashtu siç ia do qejfi zotit Dendias.
Kush e ka garantuar ministrin e vendit fqinj se Presidenti i ri nuk do të ndjekë të paktën për këtë çështje të njëjtën linjë qëndrimi me Presidentin Meta?!
Kjo është njëra anë e problemit, padyshim një qasje provokative.
Ana tjetër ka të bëjë me kofidencialitetin e ekspozuar të një bisede që ai ka zhvilluar siç e thotë vetë, me Kryeministrin e Shqipërisë, i cili me sa duket e ka garantuar mikun nga Athina për qëndrimin që do të mbajë Presidenti i ri, ende pa emër, ende i pa zgjedhur!
Kësaj i thonë në Shqipëri nuk ia dinë emrin, në Greqi e dinë se si do të vendosë Presidenti i ri në lidhje me problemin e pazgjidhur të detit me Greqinë.

