Shoqëria e spektaklit, kujt duhet t’i besojmë?

Studiuesi i komunikimit, filozofi kanadez Marshall McLuhan, parashikonte se me përhapjen e madhe të komunikimit do të kemi të bëjmë me fenomenin e të zhdukurit të mendimit kritik në shoqëri, çka i hap rrugën krijimit të turmave imituese. Sipas McLuhan, fuqia e ideologjisë në pushtet nuk qëndron te forca e saj njohëse ndaj fenomeneve, por tek aftësia për të nxitur e të ndezur anët e errëta të natyrës njerëzore. Parë në këtë këndvështrim, me shumë të drejtë, mjaft qytetarë mund të pyesin: Po kujt duhet t'i besojmë në atë çka dëgjojmë sot?

Zgjerimi i komunikimit të sotëm, duke i përfshirë sidomos turmën, nuk ka në qendër të vëmendjes kulturën, por instinktet, epshin, egon dhe nevojën për t'iu shmangur anonimatit. Bota sot po sheh në ekrane apo portale fenomene të cilat, për shekuj me radhë, i ka konsideruar si "vetëm familjare", apo "vetëm të një komuniteti." apo "të fshehta përvëluese". Kësaj panorame, ku më së shumti nxiten anët më të errëta të natyrës njerëzore dhe jo kulturimi i tyre, i ka paraprirë largimi i librit dhe përhapja e gjerë e televizionit dhe portaleve "rozë", të cilat në vend të nxitjes së mendimit kanë argëtimin dhe vdekjen e mendimit individual.

Ndaj në shoqërinë shqiptare është më e lehtë të besohet gënjeshtra. Ashtu siç e kishte parashikuar edhe Xhorxh Oruell në romanin "1984", se në vende ku funksionon apo ka funksionuar diktatura, gënjeshtra është disa hapa përpara së vërtetës.

Por, a ka shpresë, pas zgjimit të anëve të errëta të njeriut? Njerëzimi ka në historinë e vet kohë të errëta, por që ka mundur t'i kapërcejë. Por kapërcimi nuk ka qenë i mundur pa u mbështetur më parë tek institucione morale, që e kanë bazën në besim, që i japin më shumë arsye bindëse njeriut se përse duhet të mendojë mirë dhe bëjë mirë.

Një nga rrugëtimet drejt mbijetesës është libri, që i fton lexuesit në meditim, që i fton në procesin e të menduarit vetë, duke u larguar plogështinë që krijon pafundësisht kon sumizmi.

Libri është ftesë për liri, jo thjesht argëtim. Njerëzit që besojnë se mund të jenë të lirë kanë më pak gjasa që të jenë viktima te manipulimit, i cili çdo ditë shton dozat e krijimit të një realiteti të bazuar nëe instinkte. Ndaj është me rëndësi që ndryshimi të nisë nga debati mbi moralin, sepse vetë prespektiva morale e asaj që presim nga veprimet tona mund të jetë motor për ndryshim.