Ukraina, ëndrra e anëtarësimit në NATO dhe zhgënjimi nga Aleanca!
Që prej kur Ukraina shprehu dëshirën për t’u anëtarësuar në NATO, në fakt i krijoi vetes një telash të madh, edhe pse do të duhej të ishte e kundërta, sepse u gjend jo vetëm përballë kundërshtimit rus, por edhe mori mbi vete zemërimin dhe armiqësinë e Rusisë së Presidentit Putin.
Dhe ja ku jemi sot përballë faktit që lufta e ushtrisë ruse e ka gjetur Ukrainën krejt të vetme (në përpjekjet shembullore në fakt që kanë surprizuar gjithë botën), për t’i rezistuar agresionit të pushtimit.
Natyrisht, solidariteti dhe ndihmat nga NATO dhe shtete të tjera nuk kanë munguar, por, në këtë histori askush nuk është i pafajshëm, përveç popullsisë së pafajshme ukrainase.
Kur në vitin 2008, në samitin e NATO-s në Bukuresht, Franca dhe Gjermania ju kundërvunë fuqimisht hyrjes së Ukrainës dhe të Gjeorgjisë në NATO, pasi e dinin se reagimi i Moskës do ishte shumë i ashpër, Aleanca në fakt edhe pse në respekt të parimeve mbi të cilat është krijuar dhe në bazë të të cilave nuk mund t’ua kufizojë sovranitetin shteteve që të zgjedhin aleancat apo organizatat ku duan të bëjnë pjesë, përpara sovranitetit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në shprehjen e vullnetit e tyre për anëtarësim në NATO, zgjodhi stabilitetin e rendit ndërkombëtar.
Në një farë mënyre, Ukrainës iu bë e qartē se NATO nuk mund të jetë një destinacion për të.
Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka çuar në izolimin ndërkombëtar të Rusisë, duke përfshirë pezullimin e të gjithë bashkëpunimit praktik të NATO-s me Rusinë.
Por ndërkohë lufta vazhdon e askush nuk është në gjendje të thotë se kur do të përfundojë.
Përballë jetëve të pafajshme që merr makineria e luftës e që nuk po kursen as fëmijët, përballë shkatërrimit dhe ikjes së disa milionë ukrainasve që braktisin vendin e tyre për t’i shpëtuar luftës, vetëm rezistenca e ushtrisë dhe popullit të Ukrainës nuk mjafton.
E kjo është arsyeja me sa duket, që Presidenti i Ukrainës Zelenski tha se Ukraina duhet ta pranojë që nuk do të anëtarësohet në NATO.
“Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. Ne e kuptojmë këtë. Ne jemi njerëz adekuat. Ne kemi dëgjuar prej vitesh se dyert ishin të hapura, por kemi dëgjuar edhe që nuk mund të bashkoheshim, është një e vërtetë dhe duhet njohur. Më vjen mirë që njerëzit tanë kanë filluar ta kuptojnë këtë”, u shpreh Presidenti Zelenski, duke mos e fshehur në këtë mënyrë as zhgënjimin e vet.
Ndërkaq, të njëjtën gjë ka thënë dhe edhe Kryeministri Britanik Boris Jonson teksa duke iu referuar një bisede telefonike me presidentin ukrainas nënvizoi se:
“Kam biseduar me Volodymyr Zelenskyn përsëri dje (të martën) dhe sigurisht e kuptoj atë që ai po thotë për NATO-n. Dhe, të gjithë kanë thënë gjithmonë - dhe ne e kemi bërë të qartë edhe për Putinin - se nuk ka asnjë mënyrë që Ukraina të bashkohet me NATO-n së shpejti”.
Sot, tre jave pas fillimit të luftës nuk mund ta dimë se nëse keto deklarata do të ishin bërë para fillimit të saj do ta ndalonin luftën apo jo, por një gjë mund ta themi:
Ëndrra e anëtarësimit të Ukrainës në NATO sot është një zhgënjim!

