Editorial i Drejt- Dhjetori që ndryshoi Shqipërinë
“Dhjetori i studentëve” nuk është një metaforë.
Nuk është as ndonjë gjetje publicistike a diçka tjetër e ngjashme me to.
Dhjetori i studentëve është një referencë, është historia e madhe e një brezi përfaqësuar prej studentëve, që i dhanë emrin e tyre dhjetorit që ndryshoi Shqipërinë.
Shembja e Murit të Berlinit kishte parathënë ndryshimin e madh, por fatalisht, udhëheqja udhëmbyllëse e Shqipërisë komuniste, nuk qe në gjendje të kuptonte rrjedhën nëpër të cilën kishte hyrë pakthyeshëm gjysma sovjetike e Evropës.
Viti 1990 e gjeti Shqipërinë krejt të vetme, teksa kalamendej në udhëkryqin “as Lindje - as Perëndim”, mes varfërisë dhe pamundësisë për të dalë prej saj.
Ikjet masive të shqiptarëve nëpër ambasadat e vendeve të Perëndimit që gjendeshin në Tiranë, qenë dëshmia e madhe dhe e dukshme në sytë e gjithë botës se “pushteti i popullit” tashmë kishte popullin kundër.
Përpjekjet e rregjimit për të retushuar imazhin nuk dhanë rezultat.
Propaganda dështoi përballë realitetit që ishte akuza më e rëndë mbi vetë sistemin e centralizuar të një partie të vetme; të partisë shtet.
Dhe ishte pikërisht ai realitet që do të motivonte më së pari rininë studentore, e cila u bë forca e madhe e bashkimit popullor për të përmbysur pushtetin komunist edhe në Shqipëri, siç kish ndodhur edhe gjetiu, gjithkund ku qe aplikuar pushteti i Diktaturës së Proletariatit.
Studentët e Universitetit të Tiranës sfiduan rregjimin dhe diktaturën e tij.
Nën thirrjet “Liri - Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ata u bënë vatra e madhe e bashkimit qytetar dhe e revoltës popullore, që i imponuan rregjimit të pranonte kapitullimin e vet.
Kësisoj, studentët i dhanë emrin e tyre Dhjetorit që ndryshoi Shqipërinë.
Ata përmbush misionin e tyre përballë popullit dhe historisë, me të njëjtën fisnikëri dhe idealizëm, si të bashkëmoshatarëve të tyre të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që i sollën vendit lirinë.
Me aktin e tyre patriotik, studentët i dhanë Shqipërisë shansin e madh që të ndërtonte dhe të jetonte demokracinë, e t’u bashkohej vendeve të botës demokratike, që edhe ajo të bëhej si gjithë Europa .
Por, a ndryshoi realisht Shqipëria dhe a ia doli ajo që të bëhej si gjithë Evropa?
A u përmbush ëndrra e madhe e studentëve shqiptarë, ëndrra e rinisë dhe e një populli që mbushi sheshet e Shqipërisë nën thirrjen lapidare “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa?”
Padyshim, Shqipëria ndryshoi dhe 31 vite pas atij dhjetori të madh, realiteti i sotëm nuk le vend për dilema e hamendësime, pavarësisht se ëndrra ende nuk është përmbushur.
Studentët dhe rinia e dhjetorit 1990, nuk është përgjegjëse për çfarë ndodhi më pas.
Kostot e dështimeve dhe problemet e qeverisjes së vendit nuk janë përgjegjësi e tyre.
Ata e kryen detyrën.
Dhjetori i tyre e ndryshoi Shqipërinë.
Ëndrra vazhdon dhe nga njëri dhjetor në tjetrin, brezat përcjellin amanetin:
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.