Shirat shkaktojnë probleme, lumenjtë me prurje mbi normale, disa bashki pa energji

Reshjet e rëna gjatë fundjavës në të gjithë territorin tonë kanë shkaktuar një sërë problematikash në orët e para të ditës së hënë. Në Durrës ka pasur përmbytje të disa rrugëve, ndërkohë edhe në Lezhë ka pasur vështirësi në qarkullim si pasojë e prezencës së ujit në rrugë. Dhjetëra fshatra në Durrës, Lezhë, e Shkodër mësohet se janë pa energji elektrike. Në Kukës inertet kanë bllokuar disa rrugë, ndërkohë që prurjet në kaskadën e Drinit janë mbi 1400 metër kub ujë në sekondë.

Reshjet e shumta të shiut gjatë natës krijuan probleme në qarkullimin e mjeteve në Durrës si pasojë e prezencës së ujit në rrugë.

Për shkak të prirjeve të mëdha niveli i ujit pësoi rritje në lumenjtë Erzen dhe Ishëm.

Malësia e Krujës dhe disa zona periferike te Fushe - Krujës kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e erës dhe përkeqësimit të motit nga reshjet.

Edhe Lezha është përfshirë nga reshje të dendura të shiut të cilat krijuan problemet e para.

Në disa zona te qytetit ka prezencë uji, duke vështirësuar lëvizjen e këëmbësorëve.

Gjithashtu ka shtim te prurjeve në lumjenjtë Drin dhe Mat, ndërsa moti keq solli probleme në furnizimin me energji elektrike në disa fshatra atje.

Në qarkun e Shkodrës janë shkaktuar problem nga reshjet e shiut dhe të dëborës, ndërsa Segmenti Qafë Thore- Boge kalohet me vështirësi dhe për rrjedhojë rekomandohen mjetet e rënda dhe me zinxhirë.

Ne Vaun e Dejës, raportohen përmbytje tokash bujqësore ne Njësine Bushat, ndërkohë mësohet se në të gjithë qarkun janë dhjetëra fshatra që kanë mbetur pa energji elektrike.

Nga ana tjetër Kapiteneria e Vlorës njofton vazhdimin e pezullimit të lundrimit për mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit dhe përgjatë ditës së hënë.

Në qarkut të Kukësit, ka pasur rënie inertesh në disa segmente rruge, sidomos në akset rrugore nacionale.

Sa i takon prurjeve Në Kaskadën e Drinit në orët e para të ditës ato ishin në nivele të konsiderueshme me 1481 metër kub ujë për sekondë.