Editorial i Drejt - Ku është shteti?
Kjo është pyetja që më shumë se sa nevojën, shpreh në fakt një lloj revolte të brendshme të individit, sa herë që ai ndesh në murin e madh të halleve e problemeve, edhe sepse marrëdhënia e qytetarit me shtetit për një kohë të gjatë në historinë tonë ka qenë një marrëdhënie varësie më shumë se sa marrëdhënie bashkëveprimi.
Edhe pse marrëdhënia e shtetit me qytetarin normohet me anë të ligjit, në realitetin shqiptar ajo shpesh është nuk funksionon ashtu si duhej të funksiononte.
Njohja, miku, klienti janë “institucionet” që shpesh e dublojnë ligjin, e bashkë me të edhe institucionet që e kanë për detyrë ta zbatojnë ligjin.
Tranzicioni pafund ka evidentuar kaosin. E kaosi ka prodhuar krimin e të gjitha llojeve.
Shoqërisë shqiptare iu desh të përballej e të kalonte nëpër këto labirinte krimi gjithfarësh, aq sa në një farë mënyre iu desh të mësohej përdhunisht të bashkëjetojë me të.
Dhe rëndom nën akuzë gjendet Policia e Shtetit.
Në çdo rast të shfaqjes së një ngjarjeje apo dukurie kriminale, pyetja e parë është: ç’bën policia?
Ku është policia? Përse nuk ndërhyn policia?
Ky perceptim është i gabuar.
Është i gabuar prej vetë mënyrës se si shteti e ka trajtuar policinë, duke kërkuar prej saj edhe atë që ajo e ka të pamundur, por edhe prej vetë zellit të atyre qe e kanë drejtuar policinë në këto tridhjetë vjet, te cilët kanë marrë përsipër më shumë nga sa policia mund e duhet të bëjë.
Fatalisht, Policia e Shtetit e ka paguar me gjakun e vet luftën me krimin, por edhe barrën e pavend që e kanë detyruar të mbajë.
Po ndërsa shteti ka ndërmarrë Reformën në Drejtësi si proces riorganizimi dhe rivitalizimi të sistemit, Policia gjendet e diskriminuar përballë prokurorëve dhe gjykatësve, pavarësisht disa përmirësimeve të bëra në trajtimin e saj, por që nuk mjaftojnë.
Policia e shtetit nuk ka nevojë për dëshmorë.
Gjaku i 225 dëshmorëve apelon që nderimin, respektin, vlerësimin dhe besimin shtetëror por edhe qytetar ndaj Policisë së Shtetit ta shndërrojmë në kulturë.
Sepse Policia ka nevojë për dinjitet.
Dhe dinjitetin ja jep një shtet dinjitoz, ja jep një shtet që ka të shenjtë autoritetin e ligjit.
