Një polici e kapur për k…e, që s’bën zë dhe SPAK që shkoi e kapi nëntë “Kamikazët”

E kam ndjekur dhe e kam raportuar së fundmi operacionin e SPAK-ut, lidhur me arrestimin e zyrtarëve të nivelit të mesëm, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sigurisht që kam ndjekur sipërfaqësisht edhe deklarimet e dy ish-zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie, ministrit Sandër Lleshaj dhe sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Plarent Ndreca.

Të dy në deklaratat e tyre, ndjenin keqardhje për atë që kishte ndodhur, po ja që kështu rrodhën punët dhe ata vetë s’kanë çfarë të bëjnë më. Nuk dalin dot garant, nuk rrahin më gjoksin. Veçse, tashmë ndjejnë keqardhje. Pasi sipas tyre, nuk e kanë ngjyerë gishtin fare,madje skanë marë asnjë lëpirëse, në këtë tender me vlerë 2.8 miliard lekë, para këto që janë mbledhur nga taksapaguesit Shqiptarë dhe jo Bangladeshianë.

Keqardhja e tyre die dhe qoftë keqardhja e Ardi Veliut nesër, sot nuk vlen asnjë grosh. Për shkak se kompania “D&E” me në krye, biznesmenin, Ismail Kadiun dhe 3 kompanitë të huaja që u shpallën fituese, tashmë janë në zbatim të kontratës dhe detyrimeve të shërbimit, që ka secili prej 10 loteve të këtij megatenderi.

Ndaj që në këtë fazë ku jemi tani, letrat janë mbyllur. Fituesi nuk gjykohet penalisht, por duhet të nxjerë punën dhe të furnizojë policët me uniforma dhe këpucë. Për të tjerat, se çfarë thuhet e çfarë bëhet, shqiptarëve u kërkohet si gjithmonë, të dëgjojnë dhe të shtrëngojnë dhëmbët. Është njësoj si ajo shprehja “…hajt shëndet, e Gaz Paç tani…s’ke ç’bën…”.

Mua si gazetar që njoh mirë sistemin e prokurorisë dhe policisë në vend, nuk më vjen inat me fituesin, se ai atë synim kishte të shpallej fitues. Me hile pa hile apo me dredhi ose jo, synimi i tij ishte i qartë, fitorja, dhe ja arriti. Sikundër nuk më vjen inat me këta “lolot”, njerëzit “kamikazë” që sillen nëpër komisionet e Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionet e Tenderave të institucioneve, si ekspertë të zotë, por që realisht janë maksimalisht “Lloza”. Si ai llozi i derës, që e vërtit nga të duash.

Që për 1001 halle që kanë, këta “lloza” i harrojnë problemet dhe shkojnë e firmosin sy mbyllur çdo dokument që i përpilon drejtori, sekretari, ministri, shefi i departamentit, me qëllim bërjen e qejfit, sigurimit të mëtejshëm të vendit të punës dhe kthimin e tyre në një “celulë kamikazësh”, shumë të rrezikshëm dhe të dëmshëm për taksat e shqiptarëve. Pa dyshim që do firmoset, se mbrojtja nga ai që është lart, është e garantuar.

Po ja vjen dita dhe “kamikazët” që hidhen të parët në sulm, sigurisht që ata dhe “vdesin” të parët. Këtë fundjavë SPAK, arrestoi 9 “kamikazë” të institucionit të Ministrisë së Brendshme. Çuditërisht la këta “kamikazët” e tjerë të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit e këtij institucioni. Tani jemi në Shqipëri, kuptohet dhe “shara” e SPAK-ut, sa është futur në punë dhe s’ka kolaudimin e mirë! Duhet ta mirëkuptojmë!

Por mua më vjen inat me këta të Policisë së Shtetit. Me këta policë, që kanë një mori informacionesh për dreq e për shejtan dhe çuditërisht nuk paskan informacion për një abuzim financiar kaq të madh, që po ndodh brenda zyrave të tyre.

Më vjen inat me këta oficerë të Krimit-Ekonomik, që nuk lenë biznen të madh e të vogël pa tredhur, dhe çuditërisht nuk paskan informacion se çfarë po ndodh me tenderin e blerjes së uniformave, që ata do veshin nesër.

Më vjen inat me këta oficerë të Drejtorisë së Hetimit në Policinë e Shtetit, që kur duan, të lëshohen e të shkulin themelet e shtëpisë. Madje e dinë dhe se çfarë ke brenda në stomak, e cilën ke dashnore dhe dashnor. Por çuditërisht nuk dinë, asnjë informacion se çfarë dredhish, çfarë korrupsioni po bëhet me tenderin 2 miliard 800 milion lekë në Ministrinë e Brendshme.

Nuk kanë asnjë informacion se kush ka hyrë në këtë tender dhe kush ishin njerëzit e fshehtë që i “binin fyellit” për këtë tender. Këta oficerë, që ti gjejnë letrat edhe në Honolulu, habitshëm nuk paskan pasur asnjë informacion se kush qëndron pas këtij tenderi dhe pse ushtrohej presion i vazhdueshëm mbi komisionerët.

Këta oficerë skanë pasur informacion edhe pse dukshëm në media dhe parlament, flitej çdo javë për këtë çështje.

Sigurisht që me vjen inat me këta oficerë të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, që nuk lenë pa peshkuar polic rrugor për 5 mijë apo 10 mijë lekë të vjetra. Ndërsa nga ana tjetër ngrenë supet dhe bëjnë sikur s’ishin në dijeni, se çfarë megakorrupsioni e abuzimi financiar, po ndodhte në një zyrë ngjitur me të tyren, pikërisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Asnjë relacion informativ nga këto struktura në prokurori. Qofte edhe dy gisht letër në SPAK të çonin, pastaj le ta mbyllte SPAKU. Por asnjëri s’ka bërë detyrën, përkundrazi kanë pritur me qetësi derisa të vijë momenti që autogolin ta bëjnë vetë. Madje dhe më të bukur se ai autogoli i portierit, Szzesny i Polonisë kundër Sllovakisë.
Të gjithë këta janë të kapur për k…e, e z’bëjnë dot zë.

Se në të kundërt sistemi ose i shkarkon ose i syrgjynos në komisariatet më të largëta të vendit. Askush se dëshiron internimin, ndaj që me heshtjen fitohet shumë. Të gjitha palët janë të kënaqura.

Të gjithë këta që përmenda më lart, kanë qënë në dijeni se çfarë po kurdisej dhe kush ishin njerëzit që i “binin fyellit” për këtë tender. Por asnjëri nuk ka raportuar. Minimalisht këtu ka një “Shpërdorim detyre” ose “Moskallëzim krimi”, nga ana e drejtuesve të policisë së Shtetit.

Por s’ka si të ngrihet akuza për ta, se “shara” e SPAK-ut ka mbetur në gozhdë. Njësoj siç ka mbetur në gozhdë edhe një çështje tjetër në SPAK, ajo e tenderave të zhvilluara nga Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik në Tiranë. Shihni sa kallëzime nga banorët dhe ambasadat ka në prokurori Drejtori i kësaj Drejtorie, për të mësuar se çfarë është bërë me tenderat dhe shërbimet.

Tenderi në letra bëhet për blerje nafte, ndërsa nuk dihet saktësisht cilësia e lëngut që hidhet në kaldajën ngrohëse, që “helmoi” të gjithë bllokun e ambasadave. Shikoni këto kallëzime të banorëve dhe vini re se një kovë bojë për lyerje, blihet sa frëngu pulën.