Mos pagimi i rrogave kundrejt Gjergji Muzakës i ka kushtuar 3 pikë në klasifikim Tiranës. Komisioni i Disiplinës ka bërë publik vendimin e saj ku vërehet re se Tiranës i janë hequr 3 pikë për shkak të gjyqit të humbur me Muzakën. Këto pikë do të zbriten nga klasifikimi aktual i Kategorisë së parë, grupi B. Këtë kategori Tirana e kryeson me 42 pikë dhe ndjekësi më i afërt është Bylisi me 29 pikë.

Ndërkohë Komisioni i Disiplinës i ka dhënë dhe afat kohor skuadrës bardheblu për të shlyer detyrimet kundrejt mesfushorit, diçka që nëse nuk shlyhet brënda këtij afati kohor prej 15 ditësh do t'i kushtoj dhe heqjen e 3 pikëve të tjera në klasifikim, duke vendosur në pikëpyetje kalimin në Superiore sezonin e ardhshëm.


Në vendimin e Komisionit të Disiplinës thuhet:

1. KF “Tirana”, për dështim në përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj kërkuesit Gjergji Muzaka, dënohet me zbritjen e 3(tre) pikëve nga klasifikimi.
2. KF “Tirana” i jepet një afat përfundimtar prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh për të shlyer detyrimet financiare ndaj kërkuesit.
3. Paralajmërohet KF “Tirana” se në rast dështimi në përmbushjen e detyrimeve financiare do të dënohet sërish me zbritje e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi brenda një afati 10 (dhjetë) ditor për shlyerjen e detyrimeve financiare.

/Ora News.tv/