Isli Hidi është lojtari më i ri i Bylisit. Portieri 38 vjeçar u largua nga Teuta pas Kupave të Europës dhe tashmë ka arritur akordin me ish-klubin e tij. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit ballshiot në "Facebook", e cila zbulon se Hidi ka dalë në stërvitje me skuadrën ditën e sotme.

"Goditja me e madhe ne merkato! Rikthehet ne Ballsh pas afro dy dekadash Isli Hidi, portieri qe ka qene idhull i tifozeve! Presidenti Besnik Kapllanaj ka bindur ish-portierin e Kombetares dhe disa skuadrave te njohura brenda dhe jashte vendit. Sot do te dale ne stervitje!"-thuhet në njoftimin e klubit.

Idhulli i ballshiotëve, pasi luajti për ta në sezonin 2001-2002 ka një eksperiencë të gjatë brënda dhe jashtë vendit. Hidi ka veshur fanellat e ekipeve si Tirana, Kryvbas, Alki, Dinamo, Olympiacos Nicosias, AEL Limassol, Apollon Limasol dhe Nea Selamina. Përpara se të kalonte te Teuta, Hidi u aktivizua në Nicosias me Olympiacos.

/Ora News.tv/