E kuqja e Onufrit  në muret e kishës së Shën Kollit në Shelçan të Elbasanit po venitet, ndërsa degradimi i Monumentit të Kulturës po thellohet. Kamera e Ora News në Elbasan sjell gjendjen e saj reale, bashkë me apelin për ndërhyrje për të shpëtuar një pasuri të përbashkët të trashëgimisë kulturore.

Ky është Jani Qosja (shiko videon), prifti dhe mbrojtësi i kishës së Shelçanit, një  prej objekteve të kultit ortodoks më të vjetra të zonës së Shpatit në Elbasan.

E ndërtuar rreth vitit 1554,  kjo kishë është Monument Kulture që mbart prova të historisë.

E tillë është edhe e kuqja e Onufrit që po venitet në afresket e kishës për shkak të dëmtimeve ndër vite.

Objekti i kultit ka nevojë për ndërhyrje komplekse për ta shpëtuar, por statusi ia jep këtë të drejtë vetëm Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe i lidh duart Mitropolisë së Elbasanit dhe banorëve të zonës, të cilët prej vitesh kanë dhënë alarmin për rrezikun.

Jani Qosja: Ne vërtet shërbejmë këtu por ata nuk na lejojnë ne që të fusim një gozhdë në këtë kishë.

E lidhur me emrin e Onufrit dhe të birit Konstandinit, kisha e Shelçanit ka të gjitha potencialet për të qene një destinacion i turizmit kulturor dhe atij fetar, ndaj banorët kërkojnë ndërhyrje sa nuk është vonë.

"Do kishte turizëm shumë, kjo gjë ka penguar. Kjo kishë po vjen drejt përfundimit".

Teksa shoqëroi kameran e Ora News në përgatitjen e këtij materiali, kryetari shoqatës Shpati, Filip Berdufi, thekson se kisha e Shelçanit është e mbijetuara e fundit e 6 objekteve të kultit të famshme në zonë.

Filip Berdufi: Në çdo fshat po të shkosh do të gjesh shumë shumë rrënoja kishash.

Muraleve me ngjyra të ndezura të Onufrit po u humbet madhështia, ndërsa kisha Monument Kulture duket se është lënë në harresë.

/Ora News.tv/