Vettingu, nesër vendimi për gjyqtaren e Kushtetueses, Vitore Tusha
Pas gjyqtarit Fatos Lulo, radhën për t'u përballur me trupën gjykuese të vetingut e kishte anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha. Ndryshe nga kolegu i saj, gjyqtarja Tusha u paraqit vetë në seancën dëgjimore përballë trupës gjykuese Alma Faska si kryetare, Valbona Sanxhaktari si relatore dhe Xhensila Pine si anëtare.
Nga raporti i lexuar nga relatorja Sanxhaktari, anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha nuk kishte asnjë problem me pasurinë e saj, nuk kishte kryer deklarim të rremë dhe e kishte pasurinë e saj të justifikuar.
Nga informacionet e marra nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, gjyqtarja Tusha vlerësohej e përshtatshme për të vazhduar në sistemin e drejtësisë. Po ashtu edhe nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk kishte vërejtje për aftësinë e saj profesionale.
Gjatë seancës, gjyqtarja iu përgjigj edhe dy pyetjeve nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimin dhe përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përgjigje të cilat u konsideruan si të pranueshme. Pas seancës trupa gjykuese u tërhoq për të marrë vendimin, i cili do të shpallet të enjten në orën 9, që me gjasë do të jetë pozitiv për gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese.

Analiza e pasurise
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Reporter.al ka publikuar skedat e pasurisë që paraqesin ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Vitore Tusha nga viti 2008 deri në vitin 2015.
Ne vitin 2008 ajo u zgjodh gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese
Vitore Tushaj është gjyqtarja e tretë që i nënshtrohet vetingut pas Besnik Imerajt dhe Fatos Lulos. Imeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor dhe u referua nga Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit në Prokurori, ndërsa Fatos Lulo u shkarkua nga detyra pasi dispononte pasuri të pajustifikuar.

