Vetingu në politikë, Komisioni i Venecias shqyrton në dhjetor nismën e PD-së

Si në të gjitha seancat e tjera, opozita nëpërmjet deputetit Ervin Salianji, paraqiti qëndrimin e saj në Këshillin e Legjislacionit mbi konsultimet për vetingun në politikë dhe më pas braktisi mbledhjen.

Salianji u shpreh se me përgjimet e publikuara deri tani për funksionarët e saj, maxhoranca duhet të kërkojë falje publike dhe të pranojë vetingun në politikë dhe jo të bëjë konsultime farsë dhe më pas u largua pa dëgjuar deputeten socialiste Vasilika Hysi e cila tha se konsultimet po kryen në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias që vjen në dhjetor

Ervin Salianji: Është e qartë se mazhoranca nuk e do vetingun e politikës dhe është e qartë se qytetarët shqiptarë duan njëherë e mirë, sidomos pas zbulimit të ngjarjeve të lidhjes së politikanëve me krimin, të shkëputen njëherë e mirë lidhjet e politikanëve me krimin. Ne si PD kemi kërkuar kontrollin e integritetit të politikanëve, të lidhjes së tyre me krimin dhe kontrollin e pasurisë së politikanëve. Këto nuk besoj se ka qytetar që i do. Nuk besoj se ka qytetar që nuk traumatizohet kur kryetar bashkie të zgjedhur nga PS thonë se "unë e njoh Niçen" dhe na i shesin si normalitet.

Në 5 vite ato që ne kemi thënë si opozitë, sot po dalin qartazi të lidhur me krimin. Atë që ne kemi kërkuar dhe kërkojmë me forcë sot, që gjenden në përgjimet e prokurorisë dhe përgjimet e partnerëve, këta zotërinj mund të dënohen sic ndodhi me ish-deputetët e PS, që tu vijë radha pas 5 vitesh apo edhe më shumë. Por ne kërkojmë që sot pa asnjë vonesë të bëhet kontrolli i integritetit dhe pasurisë së politikanëve, njësoj si me gjyqtarët dhe policët. Nuk ka më arsye pse politikanët të jenë të privilegjuar në këtë shoqëri. Nuk ka arsye për ta shtyrë në kalendat grekë këtë proces.

Situata sot në Shqipëri është dramatike për shkak të revanshit të krimit ndaj institucionit dhe shtetit dhe përfshirjes së personave të lidhur me krimin, drejtpërdrejt në lidhje me qeverisjen. Vullneti i PD është vullneti i cdo qytetari. Ne duam të shkëpusim lidhjet e politikës me krimin, të bëjmë dekriminalizimin e zgjedhjeve dhe të bëjmë kontrollin me paketën antimafia,  të çdo biznesi që ka përfituar në mënyrë të pandershme. Kështu që kërkoj të përshpejtohet ky proces, të mos bëjmë teatër me qytetarët duke thërritur në dëgjesa çfarëdo lloj marifeti vetëm për ta shtyrë dhe për ta futur në pafundësi zgjatjen dhe miratimin e vetingut të politikanëve që sot e kërkon çdo qytetar shqiptar.  

Sot duhet të ishte dita kur ju si mazhorancë duhet të kërkonit ndjesë për ata përfaqësues i keni futur në parlament dhe sot dalin me lidhje të forta me krimin dhe kriminelët.

Vasilika Hysi: Faleminderit. Për dijeni komisioni i Venecias ka kthyer përgjigje se do ta shqyrtojë në dhjetor. E gjithë kjo periudhë do përdoret për të bërë konsultimin publik.

Të thirrur në konsultë ishin shoqatat e biznesit, të cilët ishin dakord me këtë nismë të opozitës, edhe pse ky propozim mund të përmirësohet

Nikolin Jaka: "Propozimin e PD-së e shohim me shumë interes që të implementohet, mundësisht nga e gjithë klasa politike."

Javën e ardhshme në konsultim me Këshillin e Legjislacionit do të jenë organizatat ndërkombëtare.



EMISIONET