Studentët protestë me timon: Shkarkimi i Lindita Nikollës nuk është lajm

Studentët protestë me timon: Shkarkimi i Lindita Nikollës nuk

Një timon i prishur dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ishin simbolet që zgjodhën studentët për të protestuar ditën e premte. Në lidhje me ndryshimet në qeveri, ata thonë se nuk kanë asnjë ndikim tek protesta që do të rinisë në janar. Sipas studentëve ata për asnjë moment nuk kanë kërkuar ndryshime në ekzekutiv por kanë paraqitur kërkesa konkrete që duhet të plotësohen

Grupi i studentëve që vazhdojnë të mblidhen tek kryeministria, ka zgjedhur timonin e prishur dhe kushtetutën si simbolikën e radhës ndaj kryeministrit.

Studenti: Ky është timoni që Kryeministri me rilindjen e tij ka kërkuar ta marrë. Tani e mori, ka marrë dhe librin e shenjtë në duar dhe tani sapo zbriti ca pasagjerë. Ne nuk na intereson se kë zbriti apo kush do të hipë në këtë autobus, ne na intereson që kombi të shkojë në drejtimin e duhur. Të miratojë  kërkesat tona. Do tu qëndrojmë deri në fund. Duhet shfuqizuar ligji i arsimit të lartë. Lëvizjet politike nuk na interesojnë aspak.

Simboli i Timonit të prishur ka përkuar me ndryshimet në qeveri, për të cilat studentët thanë se nuk i kanë kërkuar.

 Studenti: Ne nuk i kemi kërkuar shkarkimin e ministres së Arsimit, ne kemi kërkuar plotësimin e kërkesave tona dhe rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë. 

Studenti: Ne nuk na interesonte shkarkimi i ministres së Arsimit. Kjo është një taktikë që ka përdorur kryeministri. Kjo është diçka e paralajmëruar që këto lëvizje u bënë për të shuar protestën 

Studenti: Nuk është fare lajm për ne shkarkimi i Lindita Nikollës si Ministre e Arsimit apo vendosja e Erjon Braçes si zëvendëskryeministër. Iku Lindita, do të vijë një marionetë e zotit Rama, do ketë prapë parregullsi në ligjin e arsimit të lartë.

Studentët kanë deklaruar se pasditja do t'i gjejë të bashkuar me banorët e Astirit dhe artistët për të protestuar masivisht bashkë me emigranët shqiptarë.

Në të njëjtën kohë, ata shprehen se plotësimi i 9 kërkesave nuk duhet të diskutohet dhe se do nuk do të tërhiqen nga protestat që do të rifillojnë në janarin.


EMISIONET