Studentët përplasen me pedagogun e Organizatës Politike, i ndërpresin fjalën
Protesta e sotme e studentëve nuk e kishte kohezionin e ditëve të tjera. Në ditën e pushimit ku pjesmarrja nuk ishte në kulmin e saj, ajo që më shumë tërhoqi vëmendjen ishte incidenti deri në kufijtë e konfliktit fizik mes studentëve dhe pegagogut të fakultetit të Shkencave të Natyrës, Jani Marka, i njohur dhe si pjesëtar i Organizatës Politike.
Gjithçka erdhi pas kërkesës së tij për të marrë fjalën, ku menjëherë studentët e kanë shtyrë dhe goditur për ta shtyrë nga podiumi.
Me lot në sy, nga pafuqia për të bindur turmën se nuk kishte asnjë axhendë politike, pedagogu Marka akuzoi se forumet rinore të partive politike po e përçajnë këtë protestë.
Marka: Organizata Politike, po, madje ajo është krenaria ime më e madhe. Se aty nuk protestohet vetëm për studentët, por edhe për punëtorët, minatorët. 44 minatorë kanë vdekur në 5 vitet e fundit me qeverinë e Edi Ramës. Nuk mund të më akuzojë kush se jam i kësaj apo i asaj partie dhe emri im dhe i shokëve të mi nuk figuron në asnjë fletë votimi. Janë këtu Forumet e tyre. Unë njeri i dhunshëm? Unë kam ngrënë grushta. Pse nuk më lanë të flisja? Çfarë kam bërë unë?
Kjo situatë solli pështjellim dhe tek studentët e Shkodrës, të cilët dy herë lajmëruan largimin nga protesta, por qëndruan duke tejkaluar këtë situatë dhe duke bërë thirrje për të qëndruar të bashkuar.
Studentja: Sot kemi ardhur që të gjejmë një mbështetje dhe të ofrojmë mbështetje. Këtu nuk ka mbështetje, këtu ka përçarje.
Studenti: Është dita jonë, ka me mbet e jona dhe nuk duhet me e leju përçarjen nga askush.
Tashmë kërkesat e studentëve protestues janë të përmbledhura në 8 pika që ata kërkojnë tu plotësohen pa negociata dhe dialog.
Studentët vazhduan më tej paqësisht protestën, duke u shprehur të sigurt se do të ketë militantë politik që do të tentojnë ti përçajnë.
Por kjo do të pengohet, pasi ditën e martë në protestën e lajmëruar ata do të jenë me mijëra në shesh.
