Protestë me bojkot, studentët kërkojnë mbështetje nga ambasadat

Në një lëvizje surprizë, studentët e kanë zhvendosur protestën mesditën e sotme (8 janar 2019) drejt Ambasadës amerikane.Qëndrimi tyre zgjati vetëm pak minuta dhe protesta ishte e karakterit simbolik. Ajo u monitorua nga forca të shumta policie.

Ndryshe nga ditët e tjera, kjo e martë e protestës së studentëve solli një zhvillim tjetër.  Disa studentë të Universitetit të Politeknikut kanë hyrë në mësim në orën  e parë së bashku me pedagogët, por mësimi është ndërprerë për shkak të pjesmarrjes së pakët të studentëve.

Ndërsa në fakultetin e Histori-Filologjisë, në disa auditore ishte duke u zhvilluar mësim.

Mësim kanë zhvilluar edhe fakulteti i Juridikut. Por, vetë studentët thonë se kanë marrë kërcënime dhe presione për rikthimin në auditore.

Këtë të martë protesta para Kryeministrisë nisi më vonë se ditët e tjera. Edhe pse në temperatura të ulëta, studentët u grumbulluan për qëllimin e tyre të përbashkët, plotësimin e pikave të tyre me miratim në Parlament.

Më tej studentët nisin marshimin nga Kryeministria drejt Ambasadës amerikane, Presidencës dhe Rektoratit.

Studenti: "I kërkojmë mbështetje Ambasadës amerikane që të gjithë këta studentë të jenë të sigurtë dhe pas protestës. Kanë filluar dhe po bëhen kërcënime, kërkojmë nga Ambasada të monitorojnë protestën. Presim përgjigje, sepse edhe brenda Ambasadës amerikane ka njerëz që nuk e duan këtë protestë. Do të jetë një qëndresë simbolike. Më pas do marshojmë sërish te Politekniku, Kryeministria".

Studenti: "Ne duam ligj, duam pozitë dhe opozitë të mblidhen atje në Parlament  në seancë të jashtëzakonshme ta kalojnë me 3/5 kërkesat tona dhe ngërçi të zgjidhet. Pasi shteti nuk po na jep zgjidhje kërkojmë ndihmën e shtetit  më të fuqishëm, aleatit më të madh të shqiptarëve. Kush më shumë se Ambasada amerikane mund ti tërheqë veshin atij që tallet me studentët, të ardhmen e kombit".


Lidhur me protestën e studentëve dhe bojkotin e auditoreve ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Në një postim në twitter Rama thotë se "pengmarrësit që e degjeneruan protestën studentore në mbyllje dyersh me dhunë e në shfaqje rrugore të brutalitetit të injorancës, po përpiqen të dizinformojnë studentët lidhur me tarifat në bashkëpunim me disa fundërrina të Universitetit!"

Rama iu kërkon studentëve që të mos paguajnë më shumë se 50% të tarifës së studimit.

Ora 13:04 Studentja për Ora News: Nuk kemi besim te qeveria, do kërkojmë ndihmë tek Ambasadat

Ora 12:49 Studentët mbërrijnë sërish te Kryeministria. Pas Ambasadës amerikane, ata  protestuan para Fakultetit të Ekonomikut, Rektoratit dhe Presidencës, për tu kthyer sërish para Kryeministrisë.

Ora 11:36 Studentët e Shkencave të Natyrës u bashkohen studentëve të tjerë te Kryeministria. Hedhin tymuese.

Ora 11:06 Te Shkencat Sociale po zhvillohet mbledhje mes studentëve

Ora 10:48 Studentët e Ekonomikut mbërrijnë te Kryeministria.

Ora 10:36 Nuk ka mësim as te Fakulteti i Inxhinierisë Teknologjike dhe Informacionit


Ora 10:35 Auditoret bosh te Inxhinieria Mekanike

Ora 10:33 Te Filologjiku, studentët po gëhen gati për protestë

Ora 10:30 Mblidhen studentët e parë te Kryeministria

09:44 Studentët e Arkitekturës do të kenë një takim me pedagogët për ti kërkuar Dekanit garanci që nuk do të penalizohet asnjë nga studentët që protestojnë.

Ora 09:39  Raportohet se në Fakultetin e Juridikut studentët janë futur në mësim.

Ora 09:38 Studentët tek Ekonomiku zhvillojnë mbledhje për vijimin e protestës. Disa studentë kanë kërkuar të futen në mësim, por nuk janë lejuar.

Ora 09:10 Studentët e Politeknikut kanë zhvilluar një orë mësimi këtë të martë dhe më tej janë shpërndarë pasi nuk ka pasur pjesmarrje të madhe të tyre.

Nuk dihet nëse do të vijojë të bëhet mësim apo studentët do të mblidhen për të protestuar. Edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës raportohet se ka nisur mësimi në disa klasa me pak studentë.

Të hënën vetë studentët thanë se do të protestojnë edhe të martën për plotësimin e kërkesave të tyre.

Ata nuk mjaftohen me vendimin e Këshillit të Ministrave, duke kërkuar që kërkesat e tyre të votohen në Kuvend.




EMISIONET