I jepet lamtumira bac Adem Demacit
Me nderimet më të larta shtetërore është përcjellë për në banesën e fundit veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaci.
Në ceremoninë mortore, ku iu dha lamturira e fundit një prej figurave më prestigjioze të politikës në Kosoë ishin të pranishëm qindra personalitete nga të gjitha fushat të ardhura nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
Në ceremoninë e lamtumirës që u mbajt në sheshin "Skënderbeu", presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e vlerësoi veprimtarin si zërin e ndërgjegjes kombëtare.
Sot më 28 korrik kombi shqiptar ndahet fizikisht nga Adem Demaci, kolos që u vetëmohua tërë jetën për qëllimin madhor liri dhe pavarësi të Kosovës dhe bashkimin e shqiptarëve"
Për ti thënë fjalët e fundit ishte dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e quajti unike veprimtarinë e Demacit.
Në emër të familjes, vajza e Adem Demacit percolli mesazhin e fundit që i ati i dha.
Abetare Demaci: Unë kisha një baba që e ndava me gjithë shqiptarët sepse edhe mua më ka konsideruar si një pjesë të popullit të vet. Kisha dashur të ndaj një mesazh që ai ma dha pasi u sëmur.
Ai tha: "Më e rëndësishmja në jetë ntë njohësh vetveten". Më pas unë shumë mirë e kuptova thellësinë e mesazhit. Jam e bindur që një njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin dhe çdo gjë donte të thoshte se po ta njihnin shqiptarët veten mirë do të mund të ishin kritik ndaj vetvetes, dhe do të kuptonin se çdogjë e keqe rrjedh nga vetvetja dhe të përpiqeshin ta përmirësonin vetveten si individ dhe pastaj do ta kuptonin se vetëm në mënyrë kolektive mund të luftohet e keqja dhe të kërkonin të nxjerrnin më të mirën nga vetvetja. Në këtë mënyrë asgjë nuk do i ndalte nga çfarëdo që i kërkojnë dhe dojnë ata. Po kështu si jemi nuk e njohim veten, nuk e dimë rëndësinë e bashkimit për një rrugë e për një qëllim do të na përsëritet historia.
Edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ishte në Kosovë për ti dhënë lamtumirën e fundit. Kreu i shtetit vlerësoi lart veprën e tij duke e rikujtuar me sinonimin që bota e njihte Demacin, Mandela i Europës.
Ilir Meta: "Jemi mbledhur sot këtu t’i japim lamtumirën e fundit heroit të pashembullt të rezistencës për liri e dinjitet kombëtar e njerëzor. Në jetën e tij prej shqiptari të ndershëm e fisnik, ai kurrë dhe asnjëherë nuk u dorëzua dhe nuk u step.Por qëndroi gjithmonë në këmbë e stoik, ballë për ballë me të keqen dhe tiraninë, në luftë me ata që shtypnin me dhunë popullin dhe kombin tonë. Evropa dhe e gjithë bota të njohu, si ‘Mandela i Evropës’, si ‘Saharovi’ shqiptar, si i burgosuri politik me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi. Por në fakt ti ke qenë, je e do të mbetesh përjetë Adem Demaçi shqiptar, maratonomaku i palodhur i lirisë! Ti, je njeriu, je prindi, shoku e miku përherë pranë, je intelektuali e qytetari, shkrimtari e gazetari i pakompromis, mbrojtësi i të drejtave të njeriut pa marrë parasysh se cilit komb i takojnë, politikani i veçantë në veprime dhe qëndrime, humanisti i shquar, ti je Adem Demaçi, njeriu ndryshe i nënqiellit tonë."
Më pas kortezhi së bashku me qytetarët u nis drejt varrezave të dëshmorëve në lagjen Velania të Prishtinës.
Kush ishte Adem Demaçi?
I lindur në vitin 1936 në Prishtinë, Adem Demaçi u bë i njohur si veprimtar për çlirimin e Kosovës dhe i kaloi 28 vjet në burgjet e ish Jugosllavisë. Ai u burgos herën e parë në vitin 1958, duke mbajtur tre vjet burg. Ai u burgos përsëri për dhjetë vjet nga viti 1964 deri më 1974 dhe më pas qëndroi në burg për 15 vjet të tjera nga vitit 1975 deri më 1990. Për këtë ai shpesh cilësohej si Nelson Mandela i Kosovës.
Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, ai drejtoi për një kohë Këshillin për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Nga vitit 1991 deri në vitin 1993 ishte kryeredaktor i revistës Zëri në Prishtinë. Më pas për një periudhë drejtoi Partinë Parlamentare të Kosovës.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin "Sakharov". Gjatë periudhës 1998/1999, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas luftës u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave jo-shqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre.
Zoti Demaçi drejtoi për një periudhe edhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Autor i disa librave, njëra prej të cilave “Gjarpijt e Gjakut” ishte i ndaluar nga regjimi jugosllav.
Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Veprimtari ndërroi jetë të enjten e 25 korrikut në moshën 82 vjeçare.
