Skandali "DH Albania", dorëhiqet drejtori i OST-së
Jep dorëheqjen drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Klodian Gradeci.
Për Ora News, Gradeci ka konfirmuar se i ka paraqitur dorëheqjen për arsye personale Ministres Belinda Balluku.
Dorëheqja e tij vjen vetëm pak ditë pasi ai u mor në pyetje nga prokuroria së bashku me kreun e ARRSH-së Afrim Qendro në lidhje me skandalin e firmës ‘DH Albania’.
Pas zbulimit të skandalit të parë, ku rezultoi se ‘DH Albania’ e kishte fituar tenderin e Unazës së Re me dokumente të falsifikuara, u anulua edhe tenderi i dytë nga OST.
Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës nisi menjëherë hetimet. Momentalisht për këtë çështje vijon të jetë në kërkim policor administratori i kompanisë “DH-Albania”, Avdjol Dobi.
Dyshimet mbi Dobin bien se ka falsifikuar dhe ka përdorur më pas një vërtetim të lëshuar nga Departamenti i Shtetit të Delaware, ku tregohej se kompania “Dunwell Haberman”, e cila pretendohet se është mëma e firmës shqiptare “DH-Albania”, nuk kishte detyrime financiare në SHBA.
