Shqipëria merr pjesë në kampionatin “FIA Motorsport Games”
Për herë të parë, Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në një kampionat të ri që do të organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit.
“FIA Motorsport Games” do të zhvillohet nga data 31 tetor, e cila do të jetë dhe dita e ceremonisë hapëse, deri më 3 nëntor. Në edicionin e saj të parë do të zhvillojë gara në disa disiplina si Formula 4, GT, Drifting, Digital Motorsport.
Garuesit do të përfaqësojnë shtetet e tyre dhe çdo fitues do të shpërblehet me medalje ari, argjendi ose bronzi. Më pas do të mblidhen pikët dhe në fund do të shpallet shteti fitues. Të kualifikuarit që do të marrin pjesë në këtë eveniment do të zgjidhen nga shtetet e tyre.
Duke qenë se Klubi i Automobilit të Shqipërisë është anëtarë e FIA-s do tu japë mundësinë pilotëve të rinj të marrin pjesë në këtë kompeticion. Më 15 gusht të rinj dhe të reja do të kenë mundësinë të marrin pjesë në garat e “ACA Karting Slalom” dhe dy fitues një vajzë dhe një djalë do të kualifikohen për “FIA Motorsport Games”. Kjo disiplinë është e hapur për të gjithë të rinjtë mes 14-16 vjeç.
